Një burrë i cili “u mbyll” brenda trupit të tij për vite me radhë ndërsa ishte ende në gjendje të jetonte, të shihte dhe të kuptonte çdo gjë që ndodhte rreth tij, ka ndarë detaje nga rimëkëmbja dhe shërimi i tij i jashtëzakonshëm.

Martin Pistorius, tani 47 vjeç, u kthye nga shkolla në shtëpi një ditë me dhimbje fyti. Mjekët fillimisht menduan se kishte grip dhe iu dha një trajtim i zakonshëm. Por në mënyrë tronditëse, gjendja e tij u përkeqësua sa u desh të shtrohej në spital në moshën 12-vjeçare.

“Dola pozitiv me meningjit kriptokokal dhe tuberkuloz në tru dhe m’u desh të trajtohesha për të dyja,” tha ai. “Trupi im u dobësua dhe humba aftësinë për të folur dhe kontrolluar lëvizjet e mia”.

Ai ishte në gjendje vegjetative, të cilën ai e diskuton në librin e tij “Ghost Boy”. Prindërve të Pistorius, Joan dhe Rodney, nuk iu dha një arsye përfundimtare se pse trupi i tij pësoi këtë “mbyllje”. Ata nuk ishin gati të hiqnin dorë nga djali i tyre dhe e mbajtën gjallë në një qendër kujdesi.

“Isha në gjendje të dëgjoja, shihja dhe kuptoja gjithçka rreth meje, por nuk kisha absolutisht asnjë fuqi apo kontroll mbi asgjë. Për mua, ndjenja e pafuqisë është ndoshta ndjenja më e keqe që kam përjetuar ndonjëherë. Është sikur ti nuk ekziston dhe çdo gjë ndodh rreth teje njëkohësisht,” tha ai.

Askush nuk e kuptoi se Pistorius kishte rifituar vetëdijen dhe po kuptonte çdo gjë rreth tij. Ai madje kujton se sa herë i kanë venë në televizor filmat e Barney-t në qendrën e kujdesit special.

“S’jua them dot me fjalë se sa shumë e urreja Barney-n,” tha ai në një intervistë. Në kujtimet e tij, i riu thotë se në një moment e ëma e tij i thotë “shpresoj të vdesësh”.

Ky koment e preku atë dhe e bëri të ndihej shumë i trishtuar dhe i mërzitur.

Në vitin 2001, kur Pistorius ishte 25 vjeç, një kujdestare ndihmëse në qendrën ditore, Virna van der Ëalt, i inkurajoi prindërit e tij që ta çonin në Qendrën për Komunikim Shtesë dhe Alternativ në Universitetin e Pretorias.

Pikërisht aty një studiues mbajti një fletë letre me simbole mbi të dhe iu kërkua të gjente një top me sy. Pasi gjeti formën, atij iu kërkua të gjente qenin.

Gati 13 vjet pasi u sëmur, ai ishte në gjendje të tregonte se ishte i ndërgjegjshëm dhe i aftë për të komunikuar.