Peshkopi David O’Connell, i lindur në Cork, në Los Anxhelos është vrarë. 69-vjeçari, i cili u rrit në Glanmire, por ka jetuar në Kaliforni që nga viti 1979, u gjet i vdekur në shtëpinë e tij në lindje të qytetit të shtunën pasdite. Sipas Departamentit të Sherifit të Qarkut LA, të shtënat u raportuan në orën 12:57 të së shtunës në Janlu Avenue në Hacienda Heights.
“Mjekët shkuan në vendngjarje. Kur mbërritën, ata e gjetën atë të shtrirë teksa mbantë me dorë një plagë të shkaktuar nga një armë zjarri. Mjekët konstatuan vdekjen e tij në vendngjarje,”- tha policia.
Peshkopi O’Connell studioi në All Halloës në Dublin dhe pas shugurimit të tij nga shoku i tij, peshkopi John Scanlan i Honolulu-s, ai shkoi në Los Anxhelos ku filloi t’u shërbente të pafavorizuarve në disa nga lagjet më të varfra të qytetit. Sipas shokut të priftit, At Tom Hayes, peshkopi O’Connell njihej si një paqebërës.
Peshkopi O’Connell shërbeu në Dioqezën e Los Anxhelosit duke punuar në mesin e të paprivilegjuarve dhe ai kërkoi në mënyrë specifike të bënte më shumë punë në komunitetet e prekura nga kultura e bandave dhe ai njihej si një paqebërës.
Sipas Agjencisë Katolike të Lajmeve, Peshkopi O’Connell fitoi reputacionin e tij si ndërmjetës pas trazirave të vitit 1992 pas lirimit të oficerëve të policisë që rrahën egërsisht Rodney King si dhe luajti një rol të rëndësishëm në përpjekjen për të rindërtuar besimin midis oficerëve dhe komuniteteve në jug të LA.
Kryepeshkopi José H Gomez i Los Anxhelosit shprehu dhimbjen e tij për lajmin dhe u bëri thirrje njerëzve të luten për familjen e peshkopit O’Connell në Irlandë.
“Jemi thellësisht të shqetësuar dhe të pikëlluar nga ky lajm,” tha ai.
Peshkopi i Cork dhe Ross Dr Fintan Gavin tha se lajmi për vdekjen e peshkopit O’Connell kishte shkaktuar valë tronditëse në të gjithë dioqezën e tij të lindjes, veçanërisht në famullinë e Glanmire.
“Në emër të popullit, priftërinjve dhe fetarëve të Dioqezës së Cork dhe Ross, dhe në emrin tim, dëshiroj të shpreh ngushëllimet dhe mbështetjen time me lutje për familjen O’Connell në Cork, për Kryepeshkopin José H Gomes dhe popullin,”- tha ai.
“Që nga shugurimi i tij në vitin 1979, peshkopi David ka shërbyer si prift në Los Anxhelos, por ka ruajtur gjithmonë lidhjen e tij me familjen dhe miqtë këtu në Cork, ku ka qenë një vizitor i rregullt. Ne lutemi që Zoti të ngushëllojë miqtë e shumtë të Peshkopit David në Cork dhe në mbarë Irlandën.”