Gjyqtari i njohur amerikan Frank Caprio, i cili u bë i famshëm edhe në rrjete sociale për qasjen e tij të ngrohtë dhe humane në drejtësi, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.

Lajmi u konfirmua nga familja e tij përmes rrjeteve sociale, sipas CNN. Në deklaratë thuhej se Caprio u nda nga jeta “në paqe, pas një beteje të gjatë dhe të guximshme me kancerin”, duke u përkujtuar si një njeri me “dhembshuri, përulësi dhe besim të palëkundur në mirësinë e njerëzve”.

Caprio shërbeu për më shumë se katër dekada në Gjykatën e Qarkut në Providence, pasi u emërua gjykatës në vitin 1985. Ai fitoi dashurinë e publikut në mbarë botën falë emisionit televiziv “Caught in Providence”, i cili u nominua në vitin 2021 për çmimin prestigjioz “Daytime Emmy Award”. Klipet e tij nga sallat e gjyqit, ku dëgjonte me kujdes dhe mirëkuptim historitë e qytetarëve, u bënë virale në rrjetet sociale, duke i dhënë atij famë ndërkombëtare.

Në janar të vitit 2023, Caprio njoftoi daljen në pension, ndërsa në fund të atij viti u diagnostikua me kancer të pankreasit.

“Përmes punës së tij, ai preku jetët e miliona njerëzve dhe la pas një trashëgimi të thellë të mirësisë dhe drejtësisë. Do të kujtohet jo vetëm si një gjykatës i nderuar, por edhe si bashkëshort, baba, gjysh dhe mik i përkushtuar,” shkruan familja në deklaratë.

Në nder të tij, familja u bën thirrje qytetarëve kudo në botë që të përhapin më shumë dhembshuri, ashtu siç bënte gjyqtari Caprio çdo ditë të jetës së tij.