Sekretarja britanike për Punët e Brendshme, Suella Braverman, është kthyer në protagoniste sëfundmi pasi ka lakuar jo pak herë çështjen e emigrantëve shqiptarë.

Deri në këtë moment, shqiptarët pak kishin dëgjuar për të. Ajo është vajza e dy emigrantëve nga Kenya dhe ishujt Mauritius, e cila ka mbajtur qëndrim të qartë pro-Brexit.

Ka qenë avokatja kryesore e Qeverisë në vitet e fundit si edhe tashmë, i ka shpallur “luftë” emigrantëve shqiptarë, të cilët kalojnë kanalin e La Manche, në kërkim të një jetese të ndryshme përtej brigjeve kontinentale.

Emri i saj i vërtetë, është në fakt Sue-Ellen Cassiana “Braverman” Fernandes, por shkurtimisht njihet si Suella dhe ka lindur më 3 prill 1980 në Harrow të Londrës.

Çështja kryesore me të cilën ajo po përballet është fluksi i emigrantëve shqiptarë në Britaninë e Madhe (i shtuar vitet e fundit), ku disa komente denigruese ndaj figurës së shqiptarëve, në kufijtë e përbaltjes, kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, përfshi edhe një deklaratë të ashpër nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili e quajti të papranueshme terminologjinë e përdorur nga Braverman për shqiptarët, të etiketuar si “pushtues”.

Në mes të gjithë kësaj çështjeje, Braverman vijon të mbajë të njëjtin qëndrim dhe një vizitë e saj në Shqipëri, është e pritshme në javën e ardhshme.

Vajzë e dy emigrantëve të ardhur në Britani në vitin 1960 për një jetë më të mirë, rrënjët politike Suella do t’i merrte nga e ëma, e cila ishte infermiere dhe pati garuar për të qenë deputete në Parlamentin britanik, por pa ia arritur.

42-vjeçarja, besimtare budiste, pas edukimit të marrë në Cambridge për drejtësi dhe kualifikimeve shkencore në Paris dhe New York, vendosi të garojë në vitin 2015 për një mandat parlamentar, të cilin e fitoi në zonën e Fareham, duke u bërë deputete.

Deri në atë kohë, eksperienca e saj ishte në profile të ulëta politike, duke u angazhuar si këshilltare ligjore në disa ministri.

Me ardhjen në tryezën e madhe të deputetëve, Braverman filloi të merrte zë, mbi të gjitha mbi çështjen e Brexit, për të cilën ajo ishte mbështetëse e fortë.

Më pas, me ardhjen e Boris Johnson në krye të konservatorëve dhe Qeverisë, ajo u bë këshilltarja kryesore e Qeverisë në çështjet ligjore.

Me rënien e Johnson dhe tërheqjen e tij nga posti, Suella kërkoi të futej në garën e konservatorëve për kryetare të partisë, por nuk arriti të kualifikohej në duelin final mes Liz Truss dhe Rishi Sunak.

Pavarësisht kësaj, pas fitores së Truss, Braverman u shpërblye me postin e sekretares për Punët e Brendshme, të cilin e mbajti nga 6 shtatori 2022 deri më 19 tetor 2022, kur edhe u tërhoq, nën pretendimin se kishte thyer kodin e brendshëm ministror, pasi kishte dërguar disa email-e nga provili i saj privat, për të lobuar për vota mbi një projektligj (gjë e palejuar në Britani).

Dorëheqja e saj do të çonte edhe në rrëzimin e Qeverisë së Truss, e cila u tërhoq nga detyra si kryeministrja më jetëshkurtër në historinë e Britanisë, me 45 ditë.