1800 vetë humbën jetën nga uragani famëkeq e mijëra të tjerë mbetën të pastrehë


Uragani Katrina (1) Uragani Katrina (2)Kambanat e kishave gjëmuan njëkohësisht në Misisipi dhe Luiziana për të shënuar rimëkëmbjen e rajonit nga uragani “Katrina” dhe përmbytjet e frikshme të 10 viteve më parë, që morën me qindra jetë njerëzish e shkaktuan 151 miliardë dollarë dëme. 80 për qind e Nju Orleansit, qytet që shtrihet nën nivelin e detit, u gëlltit nga uji, pasi sistemi i dobët i argjinaturave, nuk u bëri dot ballë dallgëve të shkaktuara prej stuhisë. 1800 vetë humbën jetën në Nju Orleans e me mijëra të tjerë mbetën të pastrehë. Ka viktima të asaj kohe, që nuk janë identifikuar ende edhe sot. 83 trupat e tyre janë vendosur në mauzoletë e memorialit, kushtuar stuhisë së tmerrshme në këtë qytet.

“Edhe pse nuk kanë emër, ata nuk janë të papranuar, sepse i pranojmë ne. Njerëzit këtu shpëtuan njëri-tjetrin. Nju Orleansi ka për të qenë gjithmonë i pagjunjëzuar e i pathyeshëm”, tha Mitch Landrieu, kryebashkiak i qytetit. Përveç rreth 2000 të vdekurve e 1 milion të shpërngulurve në Nju Orleans, fatkeqësia më e kushtueshme natyrore, në të gjithë historinë e Shteteve të Bashkuara, la pas një valë shkatërrimesh përgjatë gjithë vijës bregdetare të gjirit. Për disa nga qytetarët e pranishëm, ceremonitë zyrtare risollën në mendje kujtime tepër të dhimbshme. Por Nju Orleansi është i famshëm për shpirtin e tij festiv dhe kjo ditë ishte, veç të tjerash, edhe për të treguar sesa është bërë përpara. Pjesë të tëra të qytetit janë rindërtuar krejtësisht; sistemi i argjinaturave është përmirësuar ndjeshëm për t’u bërë ballë përmbytjeve; ripopullimi ka qenë i vazhdueshëm dhe gradual. Por, edhe pse qyteti është rimëkëmbur ngadalë nga fatkeqësia natyrore, ka njerëz, sidomos nga radhët e komunitetit afro-amerikan, që ndihen të lënë mënjanë. Në Nju Orleans, sot ka 100 mijë afro-amerikanë më pak se përpara “Katrinës”. Projektet e strehimit publik kanë qenë shumë të shtrenjta për të varfrit, që janë kryesisht njerëz me ngjyrë. Ish-presidenti Bill Clinton e vlerësoi lart atë çfarë është arritur në Nju Orleans, por shtoi se nevojitet më shumë punë për zhdukjen e linjave, që përçajnë komunitetet, siç janë pasuria dhe raca.