Qindra persona u vranë pas sulmit ajror nga Pakistani në një qendër rehabilitimi për të varurit nga droga në Kabul, Afganistan disa ditë më parë.
Sohrab Faqiri e kaloi festën që shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit, duke kërkuar varrin e vëllait të tij, i cili u vra gjatë sulmit ajror të kësaj jave në Kabul. Fushata e bombardimeve nga Pakistani, e justifikuar si goditje ndaj infrastrukturës terroriste dhe ushtarake në Afghanistan, duket se ka përfunduar në një katastrofë. Sipas autoriteteve afgane një qendër rehabilitimi u godit të hënën në mbrëmje, ndërsa OKB raporton për të paktën 143 viktima, ndërsa autoritetet talebane e çojnë numrin në mbi 400 të vrarë.
Vëllai i Faqirit, Qais, një rrobaqepës dhe baba i një djali 10-vjeçar, kishte tre muaj që trajtohej në qendrën “Omid” (“Shpresë”). Pas sulmit, Faqiri kërkoi mes të mbijetuarve dhe në spitale, por pa rezultat. Më pas, ai njohu vëllanë e tij në një video të varrimit masiv të publikuar nga autoritetet. Të enjten, në ditën e Bajramit, ai shkoi në një varrezë në periferi të Kabulit, ku ishin varrosur viktimat. Aty gjeti rreshta varresh pa emra, të shënuar vetëm me gurë.
“Më e keqja është se nuk e dimë cili është varri i tij. Ky është momenti më i trishtueshëm, të kërkosh trupin e vëllait në ditën e Bajramit”, tha ai, ndërsa tregon se ende nuk ia ka treguar lajmin nënës së tyre.
Një i mbijetuar, 23-vjeçari Wali Nazir Mohammad, tregoi se u zgjua nga shpërthimi dhe gjeti dhomën në flakë, me shumë pacientë të vdekur dhe të tjerë që kërkonin ndihmë. Ai u plagos nga copëza metalike që depërtuan në mure dhe u dërgua në spital.
“Kam një mesazh për qeverinë: merrni hak për ne. Nëse nuk mundeni, na jepni armë”, tha ai nga shtrati i spitalit.
Juma Khan Nael, nga Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe Afgane, tha se zjarri i shkaktuar nga bombardimet ishte i pakontrollueshëm dhe mund të shihej nga kilometra larg. Maisam Shafiey, nga Këshilli Norvegjez për Refugjatët, deklaroi se një ndërtesë e madhe ishte shkatërruar plotësisht.
“Nuk ka mbetur asgjë, gjithçka është bërë rrënoja”, tha ai.
Autoritetet afgane raportojnë 408 të vrarë dhe 265 të plagosur. Nga ana tjetër, Pakistani këmbëngul se kishte në shënjestër një objektiv ushtarak, duke akuzuar talebanët për strehimin e militantëve.Georgette Gagnon, zëvendësshefe e misionit të OKB-së në Afganistan, paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet dhe bëri thirrje për uljen e tensioneve dhe rikthimin e armëpushimit.
Ndërkohë, organizata italiane “Emergency”, që operon një spital në Kabul, trajtoi dhjetëra të plagosur me dëmtime të rënda nga shpërthimet. Sipas drejtuesve të saj, lëndime të tilla ishin bërë më të rralla që prej vitit 2021, kur talebanët morën pushtetin.Pacientët e qendrës së rehabilitimit, sipas stafit mjekësor, kishin filluar një jetë të re, duke mësuar profesione si zdrukthëtaria dhe rrobaqepësia.
“Po merrnin ushqim, rroba dhe një mundësi të dytë në jetë”, tha një nga mjekët.
