Azerbajxhani ka vendosur të mbajë të mbyllura kufijtë tokësorë edhe për një vit tjetër, deri më 1 janar 2026, duke mbetur vendi i vetëm në botë që vijon këtë politikë që prej shpërthimit të pandemisë COVID-19. Vendimi u nënshkrua më 22 shtator nga kryeministri Ali Asadov, i cili shtyu afatin e mëparshëm të përcaktuar për 1 tetor 2025.
I ashtuquajturi “regjim i veçantë karantine” është vendosur që në pranverën e vitit 2020, kur shumica e vendeve mbyllën kufijtë për të ndaluar përhapjen e virusit. Ndryshe nga pjesa tjetër e botës, e cila ka hequr kufizimet prej kohësh, Azerbajxhani ka vijuar të mbajë një qasje të mbyllur.
Që nga marsi i vitit 2023, udhëtimet ajrore janë rikthyer normalisht dhe nuk kërkohet më as test PCR dhe as certifikatë vaksinimi. Megjithatë, kufijtë tokësorë mbeten të ndaluar për turizmin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, përveç rasteve të veçanta si transporti i mallrave. Kjo nënkupton se të huajt mund të hyjnë në vend vetëm përmes linjave ajrore.
Autoritetet e justifikojnë këtë masë me nevojën për të shmangur rreziqe të reja nga koronavirusi, por nga shumë analistë ndërkombëtarë ajo shihet si një politikë e izolimit të pazakontë. Për të zbutur kritikat, qeveria e Bakut ka lehtësuar procedurat e vizave për evente të mëdha, siç ndodhi së fundmi me tifozët e Formula 1.