“Donald Trump nuk duhet të ndërhyjë në demokracinë e Europës”, theksoi Ursula von der Leyen, duke iu përgjigjur deklaratave që presidenti amerikan drejtoi ndaj kontinentit.
“Kur bëhet fjalë për zgjedhjet, nuk është puna jonë të vendosim se kush do të jetë udhëheqësi i një vendi, por është vendimi i popullit të atij vendi. Kjo është sovraniteti i votuesve dhe duhet të mbrohet”, tha ajo gjatë një interviste në gala-n e Politico-s për 28 figurat më me ndikim në Bruksel.
E pyetur për Strategjinë Kombëtare të Sigurisë së SHBA-ve, e publikuar javën e kaluar dhe që shkaktoi tronditje në Europë, Von der Leyen tha se “pa asnjë dyshim, askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë”.
Dokumenti i Sigurisë i DASH argumenton se Europa përballet me një “shuarje të kulturës” brenda 20 viteve të ardhshme, një tezë e përdorur nga liderë të ekstremit të djathtë në BE, si kryeministri hungarez Viktor Orbán, si edhe nga Rusia.
Përveç kësaj, dokumenti kritikon përpjekjet e vendeve europiane për të kufizuar partitë e ekstremit të djathtë, duke i quajtur këto veprime “censurë politike”, ndërsa bën thirrje për “kultivim të rezistencës ndaj kursit aktual të Europës brenda kombeve europiane”.
Trump e përshkroi Europën si një grup kombesh në shpërbërje, me udhëheqës “njerëz të dobët”.
“Mendoj se janë të dobët, që nuk dinë ç’bëjnë. Europa nuk di ç’të bëjë”, u shpreh ai.



