Shtetet e Bashkuara dhe forcat aleate kanë kryer sulme në shkallë të gjerë kundër grupit terrorist ISIS në Siri, në përgjigje të sulmit të muajit të kaluar që la të vrarë tre amerikanë.
Komanda Qendrore amerikane (CENTCOM), që mbikëqyr forcat ushtarake amerikane në rajon nuk specifikoi se ku ndodhën sulmet, teksa pamjet ajrore që iu bashkëngjitën njoftimit tregonin disa shpërthime të ndara në zona rurale. Sulmet ishin pjesë e një operacioni i cili nisi si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj sulmit të grupit islamist ndaj forcave amerikane dhe siriane në Palmira.
Forcat ajrore të Jordanisë po ashtu kanë kryer sulme që kanë pasur shënjestët ISIS, si pjesë e operacionit. Në njoftim u tha se Jordania goditi disa pika qëndrore të grupit në disa zona brenda territorit të Sirisë.
Dy ushtarë amerikanë dhe një përkthyes civil amerikan u vranë më 13 dhjetor pasi një sulmues, që Uashingtoni e ka përshkruar si militant të ISIS, i zuri në pritë në Palmira, vend që dikur kontrollohej nga ISIS-i. Ministria e Brendshme e Sirisë më pas tha se sulmuesi ishte anëtar i forcave të sigurisë, ndaj të cilit kishte nisur procedurat për shkarkim për shkak të ekstremizmit.
“Ne nuk do të harrojmë kurrë”, tha shefi i mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, në X, duke ripublikuar deklaratën e CENTCOM-it.
SHBA-ja dhe Jordania kryen një sërë sulmesh muajin e kaluar në përgjigje të sulmit në Palmira, kishte deklaruar CENTCOM në atë kohë.




