Mbreti Charles III ka përjashtuar çdo mundësi që Princi Harry të rikthehet në familjen mbretërore në një rol zyrtar. Në këtë mënyrë u hodhën poshtë të gjitha idetë e një angazhimi ‘gjysmë brenda, gjysmë jashtë’.
Duke cituar burime nga pallati mbretëror, mediat e huaja shkruajnë se çdo sugjerim për një ribashkim formal të Harry-t me familjen në detyra publike është i pavërtetë. Mbreti mbështet vendimin e mëhershëm të Mbretëreshës Elizabeth II se një model i tillë nuk është i pranueshëm për anëtarët e familjes.
Ndërkohë këto zhvillime të reja vijnë pas një takimi privat prej rreth 55 minutash mes Mbretit dhe Harry-t në Clarence House, gjatë vizitës së fundit të Dukës së Sussex në Mbretërinë e Bashkuar. Takimi u cilësua si përqendruar në aspektin personal dhe familjar, pa kërkesa nga ana e Princit për një rol të ri zyrtar.
Ndërkohë, Harry ka shprehur dëshirën për të kaluar më shumë kohë në Britani, sidomos për të qenë pranë babait gjatë trajtimit të tij për kancerin. Megjithatë, mungesa e sigurisë policore mbetet një pengesë për rikthime të shpeshta.
Zëdhënësi i Harry-t theksoi se “fokusi duhet të jetë te babai i tij”, ndërsa ai vetë ka deklaruar se “nuk e di se sa kohë ka më babai im”, duke lënë të kuptohet një dëshirë për pajtim.
Kujtojmë se Harry dhe Meghan Markle jetojnë në Kaliforni, ku janë të përfshirë në projekte bamirësie. Vizita e fundit e Harry-t përfshiu një ndalesë në Ukrainë dhe një donacion prej mbi 1 milion paund për “BBC Children in Need”.