Presidenti i SHBA, Donald Trump u shpreh se nuk është i interesuar për një armëpushim me Iranin pasi ai tashmë është i shkatërruar, duke shtuar se Ngushtica e Hormuzit do të “hapet vetë” në një moment të caktuar.

“Epo, shikoni, ne mund të kemi dialog, por e dini, unë nuk dua të bëjmë një armëpushim. Nuk bëhet armëpushim kur po e shkatërron fjalë për fjalë palën tjetër. Ata nuk kanë Marinë. Ata nuk kanë Forca Ajrore. Ata nuk kanë asnjë pajisje. Ata nuk kanë asnjë mjet vëzhgimi. Ata nuk kanë sisteme kundërajrore. Ata nuk kanë radar. Dhe udhëheqësit e tyre janë vrarë të gjithë në çdo nivel. Ne nuk po kërkojmë ta bëjmë këtë”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas Trump, SHBA e ka fituar luftën.

“Po endemi të lirë”, tha ai, ndërsa pranoi se Irani vazhdon të “bllokojë” ngushticën e Hormuzit, por nga një këndvështrim ushtarak, ata kanë mbaruar.” I pyetur nëse Izraeli do të ishte gati t’i jepte fund luftës në Iran pasi SHBA-të të përfundonin operacionet e tyre ushtarake, Trump u përgjigj “Mendoj se po”.

Duke komentuar vendimin e Britanisë për t’i lejuar SHBA-së që të përdorë bazat e saj ushtarake, ai tha se Londra duhet të kishte vepruar më shpejt.

“Ata ishin në të vërtetë aleati ynë i parë në të gjithë botën, aleati i parë, dhe nuk donin që ne ta përdornim ishullin, të ashtuquajturin ishull, nga i cili, për ndonjë arsye, hoqën dorë nga të drejtat për të. Për të qenë i sinqertë, u habita pak me Mbretërinë e Bashkuar. Ata duhet të kishin vepruar shumë më shpejt“, shtoi presidenti i SHBA.