Në një fragment nga libri i saj të ardhshëm “107 Ditë”, ish-nënpresidentja Kamala Harris kritikon ashpër vendimin e ish-presidentit Joe Biden për të kërkuar një mandat të dytë. Ajo e quajti një zgjedhje të nxitur nga egoja personale, e jo nga interesat kombëtare.

“Rreziqet ishin thjesht shumë të larta. Kjo nuk ishte një zgjedhje që duhej t’i lihej egos së një individi,” shkruan Harris.

Në kujtimet e saj, të siguruara nga The Atlantic, Harris flet hapur për shqetësimet e saj për gjendjen fizike dhe kognitive të Biden, por edhe për rolin e saj të vështirë si nënkryetare në një administratë ku, sipas saj, nuk u mbrojt kurrë nga sulmet dhe ku suksesi i saj shpesh shihej si kërcënim.

“Nëse unë shkëlqeja, ai dukej më i zbehtë. Nuk e kuptuan që suksesi im do të ishte sukses për të gjithë administratën dhe një garanci për vendin.”

Në libër, Harris rrëfen se nuk e bindi Bidenin të tërhiqej nga gara e vitit 2024, për shkak se nuk donte të perceptohej si ambicioze apo e pabesë, por tani thotë se ajo zgjedhje ishte pakujdesi politike.

Ajo gjithashtu tregon se stafi i Biden shpesh i ushqente mediat me narrativa negative ndaj saj, duke mos e mbështetur në momente kur ajo sulmohej për gjëra banale si e qeshura apo zëri i saj.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë e kanë pritur me habi sinqeritetin e Harris, duke thënë për The Post se “këto komente mund t’i kushtojnë asaj çdo shans për një rikthim në 2028”.

Megjithatë, shumë analistë presin që libri të rrisë ndjeshëm profilin e saj publik, edhe pse disa kritikë e shohin si një përpjekje të vonuar për të marrë distancë nga një administratë e dobësuar.

Pavarësisht kritikave, Harris nuk e përshkruan Bidenin si të paaftë.

“Joe Biden ishte një burrë i mençur, me përvojë dhe i aftë të kryente detyrat e presidentit. Por në moshën 81-vjeçare, lodhja dhe dobësitë fizike ishin të dukshme,” shkruan ajo.

Harris e mbyll fragmentin me theksin se besnikëria e saj ndaj vendit është më e fortë se çdo lojalitet politik, duke lënë të kuptohet se heshtja e saj ishte zgjedhje taktike, jo mungesë guximi.