Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj presidentit rus Vladimir Putin, pas më shumë se 300 sulmeve ajrore me raketa dhe dronë që Rusia ka lëshuar ndaj Ukrainës, në një nga valët më të rënda të dhunës që nga fillimi i luftës. Këto sulme ndodhën vetëm një javë pasi Putin kishte deklaruar se bisedimet për paqe do të nisnin “menjëherë”.
Sulmet vdekjeprurëse ndodhën ndërsa ishte në zhvillim një shkëmbim i planifikuar i të burgosurve mes dy vendeve ndërluftuese. Sipas marrëveshjes, secila palë do të dorëzojë rreth 1,000 luftëtarë dhe civilë të burgosur gjatë tre ditëve pavarësisht bombardimeve të pandërprera të Rusisë. Shkëmbimi i fundit ishte parashikuar për mbrëmjen e së dielës.
Pamje tronditëse tregojnë zjarrfikësit ukrainas duke luftuar me flakët në zona të banuara në rajonin e Kievit pas sulmeve ajrore, me raportime për viktima më 25 maj 2025. Në të njëjtën ditë, protestues pro-ukrainas u mblodhën në Times Square, New York, duke kërkuar fundin e luftës dhe lirimin e të burgosurve ukrainas në mesin e tyre edhe aktivisti Josh Kline.
“Jam shumë i pakënaqur. Nuk e di çfarë dreqin i ka ndodhur Putinit,” u tha Trump gazetarëve të dielën. “E kam njohur prej kohësh, gjithmonë kemi pasur marrëdhënie të mira, por tani po lëshon raketa mbi qytete, po vret njerëz dhe kjo nuk më pëlqen fare. Jemi në mes të bisedimeve dhe ai po bombardon Kievin dhe qytete të tjera. Nuk më pëlqen aspak.”
Më vonë, ai e përforcoi qëndrimin e tij përmes rrjeteve sociale, duke shkruar se “Putin është çmendur krejtësisht!”
“Raketa dhe dronë po qëllohen mbi qytetet ukrainase, pa asnjë arsye. Gjithmonë kam thënë se ai kërkon gjithë Ukrainën, jo vetëm një pjesë të saj – dhe ndoshta kjo po del të jetë e vërtetë. Por nëse ai vazhdon kështu, kjo do të çojë në shkatërrimin e Rusisë!” shkroi Trump në Truth Social.
Rusia ka goditur pa pushim Ukrainën gjatë dy ditëve të fundit, fillimisht mbi 30 qytete e fshatra të shtunën në mbrëmje dhe më pas duke u përqendruar në kryeqytetin Kiev të dielën. Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e tre fshatrave të tjerë gjatë këtyre sulmeve, por Kievi i mohon këto pretendime.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara që të veprojnë, duke kritikuar ashpërsisht mungesën e reagimit.
“Heshtja e Amerikës dhe e të tjerëve në botë vetëm sa e inkurajon Putinin. Çdo sulm terrorist nga Rusia është arsye e mjaftueshme për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj saj,” deklaroi Zelensky të dielën.
Në fillim të majit, Sekretari i Shtetit Marco Rubio paralajmëroi se SHBA do të vendoste një tarifë prej 500% ndaj naftës dhe gazit rus nëse nuk arrihej progres i vërtetë në bisedimet për paqe – por theksoi se gjithçka do të varej nga vullneti i Trumpit.
Megjithatë, Trump nuk e priti mirë kritiken e Zelenskyt.
“Gjithçka që del nga goja e Zelenskyt sjell vetëm probleme. Nuk më pëlqen dhe kjo duhet të ndalet. Kjo është një luftë që nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse unë do të isha president. Kjo është lufta e Zelenskyt, Putinit dhe Bidenit jo ‘e Trumpit’. Unë po përpiqem vetëm të shuaj zjarrin e madh dhe të shëmtuar që është ndezur nga paaftësia dhe urrejtja,” shkroi ai në Truth Social.
Trump ka premtuar më herët se do ta përfundojë luftën “që në ditën e parë” të mandatit të tij të dytë presidencial.