Në daljen e saj të parë publike pas vrasjes së Charlie Kirk, bashkëshortja e tij Erika Kirk, ish-Miss Arizona, u zotua se do ta mbajë gjallë trashëgiminë e aktivistit konservator dhe aleatit të ngushtë të Donald Trump.
“Nëse mendonit se misioni i burrit tim ishte i fuqishëm më parë, nuk keni idenë çfarë keni lëshuar tani. Britmat e kësaj vejushës do të jehojnë në të gjithë botën si një thirrje beteje. Nuk do të lejoj kurrë që trashëgimia e tij të shuhet. Zotohem ta kthej Turning Point USA në organizatën më të madhe që ky vend ka parë ndonjëherë,” u shpreh ajo me emocion.
Vazhdojnë projektet e nisura nga Kirk
Erika njoftoi se turneu universitar i planifikuar nga Charlie do të mbahet sipas axhendës, ndërsa konferenca vjetore e Turning Point USA në Phoenix, këtë dhjetor, do të jetë “më e madhja ndonjëherë”. Ajo shtoi se do të vijojë edhe podkastin që i ndjeri e kishte kthyer në një prej platformave të tij më të suksesshme.
Mirënjohje për aleatët
Në fjalën e saj, Erika falënderoi zëvendëspresidentin J.D. Vance, bashkëshorten e tij Usha, si dhe Donald Trumpin, për mbështetjen dhe miqësinë e tyre me Charlie Kirk.
Trashëgimia e një aktivisti
Kirk, vetëm 31 vjeç, u vra në një takim me përkrahës në Utah. Ai ishte drejtues dhe bashkëthemelues i Turning Point USA, një organizatë me mbi 250 mijë studentë anëtarë, e njohur për përhapjen e pikëpamjeve konservatore në shkollat dhe universitetet amerikane.
Një figurë e fuqishme në rrjetet sociale, ai i përdori platformat digjitale për të mobilizuar të rinjtë në mbështetje të vlerave konservatore dhe ishte një zë i fortë në krah të Donald Trump gjatë fushatës presidenciale.