Grupe qytetarësh nga komuna e Skenderajt në Kosovën qendrore, bllokuan të dielën në mëngjes rrugën që çon për në fshatin Banjë të kësaj komune, që banohet nga qytetarë të komunitetit serb, për të mos lejuar vizitën e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç në atë fshat.
Në protestën e sotme u tha se presidenti serb nuk mund të kalojë përmes rajonit të Drenicës, pa kërkuar falje për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.
“Janë 15 mijë të vrarë nga lufta, 1600 persona të zhdukur, janë 128 persona të zhdukur nga komuna jonë, kështu që me plotë të drejtë po e kundërshtojmë vizitën e tij. Vizita e tij është një provokim dhe ringjallje e viteve të 98-ta dhe 99-ta”, tha kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari.
Presidenti serb u tha gazetarëve në mëngjes se do të provojë të shkojë në fshatin Banjë përmes rrugëve anësore. Por, policia e Kosovës që siguron vizitën e tij, e ndaloi atë meqë autoritetet në Prishtinë vendosën pas protestave të tërheqin lejen për vizitën në këtë fshat. Më pas Vuçiç ka bërë përgjegjës “Prishtinën Zyrtare”.
“E qartë që pas kësaj bllokade qëndron Prishtina Zyrtare”, ka thënë presidenti serb. Ai ka kritikuar edhe KFOR-in për mosrealizimin e vizitës së tij në Drenicë. “KFOR mund të më transportonte edhe me helikopter, por janë arsyetuar se nuk kanë leje nga Napoli”, tha Aleksandër Vuçiç në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë.
Lidhur me bllokimin e rrugëve me dru e goma në rrugën për në Banjë nga qindra qytetarë të Skenderajt, Vuçiç tha “Si fëmijë të kanë lozur, kanë ndezur goma dhe kanë qëlluar në ajër”.
Para pak minutash, KFOR tha se askush nuk është duke e kërcënuar presidentin serb dhe se siguria e tij është e garantuar.
9 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)