“Nuk është një aventurë verore. Është dashuri, është serioze dhe kemi plane për të ardhmen”.

Kështu e përshkruan 22-vjeçari Antoine Leconte marrëdhënien e tij me Tiffin Ozier, vajzën 42-vjeçare të Brigitte Macron. Leconte thotë se diferenca në moshë nuk përbën pengesë për çiftin dhe se ajo që ka rëndësi është lidhja mes tyre. Në një intervistë për Daily Mail, ai tha se “mosha nuk ka rëndësi kur je i dashuruar”.

“Tiffin mund të jetë 20 vjet më e madhe se unë, por ajo është argëtuese, emocionuese dhe plot gëzim për jetën”, tha 22-vjeçari.

Antoine tregoi se fillimisht nuk e dinte identitetin e gruas që kishte njohur gjatë mësimeve sërfi në Le Touquet, ku ai ushtron aktivitetin e tij profesional.

“Ajo erdhi për disa mësime në fillim të verës, ne shkuam mirë dhe ajo u kthye disa herë. Pastaj u takuam në një festë ku isha i ftuar. Nuk e kisha idenë se ajo ishte vajza e Brigitte Macron. E zbulova më vonë”, rrëfeu ai për Daily Mail.

Sipas tij, fakti që Tiffin është vajza e Brigitte Macron nuk ka ndikuar në marrëdhënien e tyre.

“Nuk më prek mua, sepse ajo që ka rëndësi është që ne të shkojmë mirë dhe ta bëjmë njëri-tjetrin të lumtur”, theksoi ai.

Pas publikimit të lidhjes së tyre, 22-vjeçari tha se kishte lexuar shumë rreth tij dhe Tiffin, por shtoi se vëmendja publike nuk ka ndryshuar asgjë mes tyre.

“Është diçka serioze. Nuk është një lidhje verore. Kemi shumë plane së bashku”, u shpreh Antoine.

Ai zbuloi gjithashtu se çifti po mendon për projekte të përbashkëta profesionale. Tiffin është avokate, ndërsa Antoine tha se dëshiron të zhvillojë fabrikën e tij në Sri Lanka.

“Do të udhëtojmë së bashku dhe shpresoj që biznesi im të bëhet edhe më i fortë”, tha ai.

22-vjeçari tregoi se prindërit e tij janë në dijeni të marrëdhënies dhe e kanë pritur pozitivisht. Ai tha gjithashtu se nuk është i shqetësuar nga vëmendja që ka tërhequr lidhja e tij.

“Njerëzit nuk na trajtojnë ndryshe. Qeshim shumë së bashku, ndihmojmë njëri-tjetrin dhe shijojmë kohën që kalojmë së bashku”, tha ai.

I pyetur se çfarë e tërhoqi më shumë te Tiffin, Antoine preferoi të mos jepte shumë detaje.

“Nuk mund t’ju tregoj gjithçka për ne, por mund t’ju them se jemi të lumtur dhe të dashuruar”, përfundoi 22-vjeçari.