Komentet e fundit të Presidentit rus, Vladimir Putinit mbi bisedimet e mundshme për armëpushim me Ukrainën po priten me skepticizëm të thellë në të gjithë Evropën, me zyrtarët që vënë në pikëpyetje si përmbajtjen e propozimeve të tij, ashtu edhe zgjedhjen e ndërmjetësit.

Europianët thonë se premtimet e përsëritura për paqe të afërt po nxisin dyshime, edhe pse diskutimet vazhdojnë mbi Ukrainën, zgjerimin e NATO-s dhe të ardhmen e arkitekturës evropiane të sigurisë.

E para ishte Gjermania e cila hodhi poshtë një sugjerim nga Presidenti rus Vladimir Putin se ish-kancelari Gerhard Schroeder mund të koordinojë bisedimet me Bashkimin Evropian për të siguruar një marrëveshje paqeje në Ukrainë.

Presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa tha së fundmi se besonte se kishte “potencial” që BE-ja të negociojë me Rusinë dhe të diskutojë të ardhmen e arkitekturës së sigurisë së Evropës. Putin tha se nëse do të zhvilloheshin bisedime të tilla, Schroeder do të ishte ndërmjetësi i tij i preferuar.

Një zyrtar gjerman tha se oferta nuk ishte e besueshme sepse Rusia nuk kishte ndryshuar asnjë nga kushtet e saj, duke shtuar se një provë fillestare do të ishte nëse Moska ishte e gatshme të zgjaste një armëpushim tre-ditor.

Zyrtari, i cili foli me Reuters në kushte anonimiteti, tha se Putin kishte bërë një sërë ofertash të rreme që synonin ndarjen e aleancës perëndimore.

Pas largimit nga detyra në vitin 2005, Schroeder pothuajse menjëherë mori një punë si kryetar i një konsorciumi të diskutueshëm gjermano-rus të tubacionit të gazit dhe është përballur me kritika të ashpra në Gjermani për afërsinë e tij me Putinin. Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha të premten se Berlini nuk shihte shenja se Moska ishte e interesuar për negociata serioze dhe theksoi se çdo bisedë me Bashkimin Evropian do të duhej të koordinohej ngushtë me shtetet anëtare dhe Ukrainën.