Viktor Orbán deklaroi se Hungaria do të “vazhdojë të mbështesë përpjekjet për paqe” që po udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Nëse Donald Trump do të kishte qenë president i Shteteve të Bashkuara, kjo luftë nuk do të kishte shpërthyer”, u tha ai gazetarëve në një konferencë për shtyp me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio.

“Dhe nëse ai nuk do të ishte president tani, ne as që do të kishim një shans për t’i dhënë fund luftës me paqe.”

Orbán shtoi se Hungaria “mbetet e gatshme” të ofrojë Budapestin si vend për një samit paqeje, nëse kjo do të ishte e mundur.

Hungaria ka qenë në mospajtim me vende të tjera perëndimore për shkak të mbajtjes së lidhjeve të Orbánit me Rusinë dhe refuzimit për të dërguar armë në Ukrainë.

Budapesti ka kundërshtuar gjithashtu planet e Komisionit Evropian për të hequr gradualisht deri në fund të vitit 2027 të gjitha importet e gazit dhe LNG-së ruse në BE, duke thelluar përçarjen me Brukselin sa i përket marrëdhënieve me Moskën.

Marco Rubio tha se lidhja personale mes Trump dhe Orbán është arsyeja e marrëdhënies së fortë mes SHBA-së dhe Hungarisë. Ai u shpreh: “Po hyjmë në këtë epokë të artë të marrëdhënieve mes vendeve tona, jo thjesht për shkak të përputhjes së popujve tanë. Por për shkak të marrëdhënies që ju keni me Presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Nuk mendoj se është ndonjë mister, dhe nuk duhet të jetë mister për askënd këtu, se si ndihet presidenti për ju, si ka bashkëvepruar me ju në mandatin e tij të parë si president dhe tani në mandatin e tij të dytë kjo marrëdhënie është forcuar edhe më shumë…

Mund t’ju them me bindje se Presidenti Trump është thellësisht i përkushtuar për suksesin tuaj.

Sepse suksesi juaj është suksesi ynë. Sepse kjo marrëdhënie që kemi këtu në Evropën Qendrore përmes jush është thelbësore dhe jetike për interesat tona kombëtare në vitet që vijnë.

Nëse përballeni me vështirësi financiare, nëse përballeni me pengesa për rritjen, nëse përballeni me gjëra që kërcënojnë stabilitetin e vendit tuaj, e dini se Presidenti Trump do të ishte shumë i interesuar, për shkak të marrëdhënies suaj me të dhe për shkak të rëndësisë që ky vend ka për ne.”

Top Channel