Benjamin Netanyahu ka deklaruar ditën e hënë se asnjë marrëveshje diplomatike nuk është e mundur me zyrtarët iranianë, të cilët i përshkroi si të egër, duke përshëndetur fushatën e re të presionit ekonomik ndaj Teheranit të njoftuar nga Donald Trump. Duke iu referuar takimit të tij të fundit me presidentin e SHBA-së, Netanyahu vuri në dukje mbrëmë gjatë një eventi se ata kishin diskutuar negociatat me Iranin.

“Dyshoj se mund të arrijmë një marrëveshje me atë bandë atje, me ata të egër. Po ju them, asnjë marrëveshje nuk mund të arrihet.”, i tha Netanyahu, presidentit Trump.

Një kritik i ashpër i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, nga e cila Shtetet e Bashkuara u tërhoqën tre vjet më vonë gjatë mandatit të parë të Trump, Netanyahu ka shprehur prej kohësh dyshime për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje diplomatike me Iranin. Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ai ka qenë i kujdesshëm të mos e kritikojë presidentin e SHBA-së shumë hapur kur ai kërkoi një rrugëdalje të negociuar nga lufta në Lindjen e Mesme, e cila shpërtheu më 28 shkurt pas sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit. Dhe ai nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të pranonte armëpushimin që SHBA-ja dhe Irani arritën në prill.

SHBA-të njoftuan të hënën vendosjen e sanksioneve të reja të ashpra ndaj Iranit, që synojnë të gjunjëzojnë ekonominë e vendit, e cila tashmë i është nënshtruar një sërë sanksionesh për vite me radhë. Dje, Netanyahu mbështeti publikisht fushatën e presionit ekonomik. Trump zgjodhi të shënjestrojë Iranin, si edhe të shtrëngojë bllokadën ndaj atyre që mbështesin këtë regjim, këtë diktaturë të cilën e cilësoi si të tmerrshme.