“Ta fal? E kam falur tashmë”. Këto janë fjalët e para që Isabella Marsilio, mësuese në shkollën e mesme “Giovanni Verga” në Romë, i tha në telefon emisionit “Dentro la Notizia”, duke folur për nxënësin 13-vjeçar që e plagosi me thikë në klasë.
Mësuesja tregon se në orën 09:00 kishte hyrë në klasë dhe kishte marrë mungesat dhe në këtë listë ishte dhe emri i tij. Atë mëngjes ai duhej të rikuperonte një detyrim në lëndën e historisë, takim i planifikuar prej kohësh.
Gjatë mësimit, ndërsa po pyeste një nxënëse tjetër, ajo pa 13-vjeçarin të hynte në klasë me një helmetë çiklisti dhe syze me një kamerë në qendër.
“Askush nuk mund t’a imagjinonte se do të afrohej për të më goditur me thikë”, rrëfen ajo.
Sipas dëshmisë së mësueses, nxënësi kishte një thikë të gjatë, të dhëmbëzuar, dhe e goditi tri herë në pjesën e majtë, pranë sqetullës.
Isabella Marsilio thotë se më shumë sesa plagët, e tronditi shikimi i djalit. Ajo e përshkruan si të ftohtë dhe të pandjeshëm dhe thotë se, sipas përshtypjes së saj, veprimi dukej i planifikuar. Ky është interpretimi personal i mësueses.
Pavarësisht ngjarjes, Marsilio thotë se nuk ka frikë të kthehet në mësim. Ajo shkon edhe më tej, duke deklaruar se do të ishte e gatshme të takohej me djalin për të kuptuar se nga buronte urrejtja që ai kishte ndaj saj.
“Do të doja të më shpjegonte se nga vinte gjithë kjo urrejtje ndaj meje”, shprehet mësuesja.
