Ish-nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, ka sinjalizuar se nuk e ka mbyllur karrierën e saj politike dhe mund të rikthehet në garën për president në zgjedhjet e vitit 2028.

Në një intervistë për BBC, që do të transmetohet sot, Harris u shpreh se ajo “ndoshta” do të jetë presidentja e ardhshme, duke dhënë kështu shenjën më të qartë deri tani për ambiciet e saj politike në të ardhmen.

“Nuk kam marrë ende një vendim,” tha ajo. “Por jam e bindur se një ditë do të ketë një grua në Shtëpinë e Bardhë. Unë nuk kam mbaruar. E gjithë jeta ime ka qenë në shërbim publik, është pjesë e imja.”

E pyetur për sondazhet e dobëta, Harris theksoi se nuk i jep shumë rëndësi atyre: “Nëse do të kisha dëgjuar sondazhet, nuk do të isha kandiduar as për postin tim të parë, as për të dytin dhe sigurisht nuk do të isha sot këtu.”