Camorra është një nga grupet kriminale më të vjetra në botë, por mënyra se si funksionon në Napoli po ndryshon.
Bandat e reja kriminale të fëmijëve dhe rritja e reklamimit të tyre në mediat sociale, në kundërshtim me rregullin e kahershëm të omertà-s, do të thotë që Camorra me sa duket nuk do të jetë kurrë më e njëjta.
VICE ka intervistuar anëtarë të këtij klani mafioz që tashmë kanë nisur të rekrutojnë edhe fëmijë, të cilët fillimisht ‘testohen’, duke u vënë në provë për të bërë një vrasje. Kryerja e krimit i jep dritën jeshile për tu bërë pjesë e grupit.
“Baby gangs” quhet ky grupim i Camorras që për anëtarë ka adoleshentët, të cilët prezantohen so Hernesto, Alfredo, Gennaro dhe Manu, por me siguri, nuk janë emrat e tyre të vërtetë.
Gazetarja italiane Alessia Camoirano Bruges dëgjon rrëfimet e të rinjve që janë bërë pjesë e këtij klani, të cilët shprehen se aty ndihen ‘pjesë e botës së tyre’.
“Ne i testojmë ata. I kërkojmë të vrasin dikë. Nëse ata e bëjnë atë, shkëlqyeshëm. Nëse jo, ne i vrasim ata,”- tregon një prej rekrutuesve.
“Të rritesh në Le Vele është fantastike sepse këtu e kupton vërtet se çfarë është jeta. Ne jemi rritur bashkë, do të jemi gjithmonë këtu për njëri-tjetrin. Ne jemi një familje, por ajo që na bën të bëjmë gabime është se jemi rritur bashkë, por edhe kemi vuajtur bashkë. Ne kemi parë vdekje, drogë, uri, familjet tona të shkatërruara për shkak të mungesës së vendeve të punës. Ne jemi në botën tonë këtu,”- thotë një prej adoleshentëve.
“Bëjmë, 1 deri në 2 mijë euro në ditë. Nuk e shohim si lojë. Armët i kemi blerë. Ne duam të ndërtojmë një të ardhme dhe të ndihmojmë familjen tonë që të sjellë bukën në shtëpi. Jemi të detyruar ta bëjmë sepse nuk ka punë. Nuk ka asgjë. Ne kemi drogë dhe e shesim atë, kjo është ajo që ne dimë të bëjmë dhe po e bëjmë aktualisht,”- thotë një tjetër.
“Nëse Camorra do të më kërkonte të vrisja dikë, do ta bëja. Sepse nëse nuk e bën, ata të vrasin në vend,”- shton një tjetër.
“Bëjmë grabitje makinash, motoçikletash, parash. Brenda një ose dy ditësh mund të bësh 2000 euro dhe të blesh çfarë të duash. Asnjë nga grupi nuk ka frikë nga asgjë. Madje edhe nga vdekja,”- shton një tjetër.