Një grua që pretendon se është droguar dhe përdhunuar nga Jeffrey Epstein ka folur publikisht për herë të parë, duke rrëfyer përvojën e saj në një intervistë për BBC Newsnight.

E identifikuar me emrin “Nicky” për të ruajtur anonimitetin, ajo deklaroi për BBC se e takoi Epsteinin në moshën 19-vjeçare, ndërsa punonte si modele. Sipas saj, pas një takimi në rezidencën e tij në Palm Beach, ajo humbi ndjenjat pasi piu ujë që iu ofrua nga ai dhe beson se u abuzua seksualisht gjatë asaj kohe.

Nicky tregoi se kontaktet fillestare nisën me kërkesa për masazh, por situata u përshkallëzua në mënyrë të papritur. Në takimin e dytë, ajo pretendon se Epstein u përpoq të kishte marrëdhënie seksuale me të, ndërsa më pas, pasi piu ujë, humbi kujtesën për rreth 12 orë.

Kur u zgjua, ajo ndjehej e sëmurë dhe vuri re shenja që e bënë të besonte se kishte kryer marrëdhënie seksuale, megjithëse nuk mbante mend asgjë.

“Kam bërë terapi për të kujtuar, por është bosh. Nuk kam asnjë ide çfarë ndodhi”, tha ajo, duke shtuar se bindja e saj është se ishte droguar dhe përdhunuar.

E mbijetuara tha se është inkurajuar të flasë nga rrëfimet e viktimave të tjera dhe i ka bërë thirrje Departamenti i Drejtësisë i SHBA të publikojë të gjitha dosjet e mbetura mbi çështjen Epstein.

Sipas saj, miliona dokumente janë bërë publike, por rreth dy milionë dosje mbeten ende të pazbuluara, duke nxitur kritika për mungesë transparence.

Ajo kritikoi gjithashtu mënyrën se si trajtohet çështja në diskursin publik, duke thënë se të mbijetuarit përdoren si “gurë shahu” në debate politike.