Japonia po përballet me temperatura të pazakonta për këtë periudhë të vitit, pasi termometri kaloi 30 gradë Celsius në Tokio dhe Osaka, duke shënuar rekorde të reja për muajin tetor në të dy qytetet. Në kryeqytetin japonez, temperaturat kapërcyen 30°C gjatë orëve të para të pasdites të së hënës. Sipas të dhënave meteorologjike, kjo është hera e parë që nga fillimi i regjistrimeve, në vitin 1875, që një temperaturë kaq e lartë regjistrohet kaq vonë gjatë muajit tetor. Rekordi i mëparshëm ishte shënuar më 19 tetor 2024.
Mediat e huaja bëjnë me dije se, edhe në Osaka, qytetin e dytë më të madh të Japonisë, temperaturat kaluan 30°C, duke thyer rekordin e mëparshëm të vendosur më 20 tetor 1933.
Të dhënat meteorologjike për këtë rajon ruhen që nga viti 1883. Agjencia Meteorologjike e Japonisë përdor termin “Manatsubi”, që përkthehet si “ditë vere”, për ditët kur temperaturat arrijnë ose kalojnë 30 gradë Celsius.
Regjistrimi i temperaturave të tilla në fund të tetorit tregon për kushtet e pazakonta atmosferike që po përjeton vendi. Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po rrisin shpeshtësinë dhe intensitetin e valëve të të nxehtit në mbarë botën. Temperaturat e larta jashtë sezonit janë një tjetër tregues i ndryshimeve që po pëson klima globale.
Japonia regjistroi gjithashtu verën më të nxehtë në historinë e matjeve meteorologjike në vitin 2025. Më 5 gusht, temperatura në qytetin Isesaki, në veri të Tokios, arriti në 41,8°C, duke dëshmuar intensitetin e jashtëzakonshëm të të nxehtit që ka përfshirë vendin vitet e fundit.
