Vrasja e një 46-vjeçari dhe tentativa për të rrëmbyer një vajzë të mitur e kanë bërë të tensionuar situatën në fshatin Drosero Xanthi.
Policia greke ka rrethuar fshatin nga frikë e hakmarrjes. Shkak është bërë një burrë 37 vjeç që kërkonte të martonte djalin e tij, vetëm 17 vjeç, me një të mitur 15-vjeçare.
Në një kohë kur situata në Drosero Xanthi është veçanërisht e tensionuar pas vrasjes së 46-vjeçarit, ka dalë në dritë një video dokument i rrëmbimit të 15-vjeçares nga autori i vrasjes.
Nga ana tjetër, mësohet se bashkëshortja e 46-vjeçarit ka parë sulmuesin 37-vjeçar të hynte në shtëpinë e saj me dy djemtë dhe dhëndrin e tij dhe të vrisnin gjakftohtësish burrin e saj në sy të fëmijëve.
Sipas dëshmive të banorëve të zonës, katër muaj para vrasjes, 37-vjeçari ka kërcënuar se do të vriste 46-vjeçarin fatkeq, duke i thënë: “Dua mbesën tënde për djalin tim ose do ju ekzekutoj. Do të marr plumbat dhe do t’ju shfaros”.
Familjarët e viktimës, sipas mediave vendase, kërcënojnë se do ta marrin situatën në duart e tyre nëse nuk vendoset drejtësia për vrasjen e të dashurit të tyre.
Ndërkohë, klima në Drosero të Ksantisë është e tensionuar me incidente, të shtëna me armë, deri në djegie shtëpish e makinash. Kjo pasi në kulturën lokale, thyerja e paktit të martesës cilësohet si një fyerje e rëndë e kodit të nderit dhe sipas traditës “lahet me gjak”.