Presidenti amerikan deklaron se do të bëjë “gjithçka që ka në dorë” për ta ndalur Teheranin


Lindja e Mesme është tema kryesore e diskutimit të takimit vjetor të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara dhe në ditën e parë, presidenti amerikan Barack Obama kërcënoi Iranin duke deklaruar se ai do të bëjë “gjithçka që ka në dorë” për ta ndalur këtë vend nga prodhimi i bombave bërthamore. Obama kërkoi gjithashtu ndihmën e vendeve të tjera për të dënuar me forcë dhunën dhe ekstremizmin, një referencë e qartë kjo për situatën në Siri si dhe vrasjen e ambasadorit amerikan në Libi.


Obama gjendet aktualisht nën presion nga konkurrenti i vet në zgjedhjet për president Mitt Romney, i cili e akuzon për dobësi në trajtimin e problemit të programit bërthamor të Iranit dhe protestave anti-amerikane në botën myslimane. Obama e ka refuzuar kërkesën e Izraelit për t’i vendosur kufij të qartë Iranit dhe për të përdorur sulmet ajrore për të shkatërruar impiantet e industrisë bërthamore të këtij vendi. Në vend të kësaj, ai tha se Shtetet e Bashkuara “do të bëjnë gjithçka që munden për të parandaluar Iranin nga prodhimi i bombës me mbështetjen e një koalicioni vendesh.”


Në Izrael qarkullojnë fjalë për përgatitjen e një sulmi kundër Iranit për t’u kryer para zgjedhjeve presidenciale në SHBA me qëllim që presidenti Obama të detyrohet të veprojë. Teherani thotë se programi i saj bërthamor ka qëllime civile.