“Plani” për Ukrainën i hartuar nga Steve Witkoff dhe Kirill Dmitriev, dy të dërguarit e Uashingtonit dhe Moskës, e nxjerr qartë në pah synimin e Shtëpisë së Bardhë në këtë lojë.

Ai është shumë i ngjashëm me objektivat që Donald Trump po ndjek me Argjentinën e Javier Mileit apo me Kilin me prirje sovraniste që mund të dalë nga balotazhi muajin e ardhshëm. I ngjan edhe asaj që vetë presidenti amerikan e shprehu në Knesset në tetor, kur foli për marrëveshje të tipit “Abraham” nga Indonezia, te Pakistani, deri në Gjirin Persik dhe Izrael.

Trump dëshiron të krijojë boshllëk rreth Kinës. Ai kërkon t’i shkëpusë aleatët e Pekinit në çdo cep të botës, duke i bërë ata partnerë ekonomikë të varur nga SHBA. Projekti i paraqitur nga i dërguari i tij, Witkoff, synon pikërisht këtë rezultat: të shkëpusë Vladimir Putinin nga përqafimi me Xi Jinping, të krijojë një marrëdhënie strategjike të SHBA me Kremlinin që të thyejë varësinë e Rusisë nga Kina; pak rëndësi ka nëse Ukraina dhe Evropa do të paguajnë faturën.

Kjo strategji shfaqet në disa pjesë të “planit” Witkoff-Dmitriev”. Ajo del në pah kur SHBA i premton Rusisë rikthimin me të drejta të plota në G8 pas një “paqeje” në Ukrainë (përjashtimi ndodhi në 2014, pas pushtimit të Krimesë). Në vetvete ky është një premtim i çuditshëm. Trump gjithmonë i ka injoruar tryezat shumëpalëshe, për të vlejnë vetëm marrëdhëniet personale midis liderëve të fortë. Por sjellja e Putinit me vete në takimet e vendeve të mëdha industriale, praktikisht si i barabartë, do të thotë të rivalizosh për ndikimin e liderit rus kundrejt bllokut të BRICS-it, klubit të fuqive në rritje, ku ai është figurë kryesore. Do të thotë gjithashtu ta kthesh në aleat të vet Trumpit, përballë qeverive europiane, pikërisht brenda samitit të të Mëdhenjve.

Në marrëveshjen Witkoff-Dmitriev shfaqen pastaj edhe premtime për marrëveshje ekonomike. Në rast të arritjes së një paqeje në Ukrainë, me kushte të favorshme për Moskën, SHBA i ofron Rusisë një “marrëveshje bashkëpunimi afatgjatë” në një listë të gjatë sektorësh strategjikë: energji, burime natyrore, infrastrukturë, por sidomos inteligjencë artificiale, qendra të dhënash dhe “projekte për nxjerrjen e metaleve të rralla në Arktik”.

Mesazhi është i qartë: amerikanët janë të gatshëm t’u japin rusëve disa teknologji dixhitale dhe lidership në fushën e inteligjencës artificiale, me kusht që rusët t’u sigurojnë atyre lëndë të para kritike për prodhimet më të avancuara teknologjike. Synimi është të ndërpritet varësia e Perëndimit nga oligopoli kinez në materialet e nevojshme për pjesën më të madhe të pajisjeve teknologjike. Edhe këtu, ai që dëmtohet është Pekini, sepse një marrëveshje e tillë cenon dy objektiva kyç të Xi: zgjerimin e ekosistemit dixhital kinez në Rusi dhe marrjen në dorë të aksesit të pakufizuar në burimet e Arktikut rus.

Në thelb, Trump dëshiron të thyejë varësinë e Putinit ndaj Xi-t. Dhe për ta bërë këtë, pranon idenë e një marrëdhënieje mes dy superfuqive dhe mes dy liderëve “të barabartë”, midis Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë.

Edhe ideja e “planit” Witkoff-Dmitriev për të përdorur një pjesë të rezervave ruse të ngrira për “një mjet investimi ruso-amerikan” shkon në të njëjtën drejtim. Po kështu edhe perspektiva e një marrëveshjeje të re për çarmatim bërthamor mes Moskës dhe Uashingtonit, krahas heqjes së pritshme të sanksioneve.

Premtimet shtohen njëra pas tjetrës, me kusht që Putini të largohet nga Xi. Çmimin do ta paguante Ukraina, e cila do të detyrohej të pranonte një paqe të tipit “Kartagjenë”, në funksion të objektivave globale të Trump. Do ta paguante edhe Europa, e cila do të përballej me një fitore të pjesshme të Putinit në luftë dhe do të trajtohej si një vasal, me të cilin mund të veprohet sipas dëshirës. Në teori do të ishin qeveritë europiane ato që duhet të vënë në dispozicion 100 miliardë dollarë për rindërtimin e Ukrainës dhe të paktën 100 miliardë të tjera nga rezervat ruse për të financuar aktivitetet e grupeve amerikane në vendin e sulmuar.

Në këtë projekt-marrëveshje nuk ka asnjë shenjë të një aleance perëndimore. Ka vetëm një logjikë fuqie – pa të drejtë ndërkombëtare, vetëm ligji i më të fortit – sipas së cilës Trump kërkon t’i heqë Xi Jinpingut aleatin e tij rus; ndërsa Rusia rrit çmimin në kurriz të Ukrainës për të bërë hapin e madh drejt një përqafimi të mundshëm me Amerikën e Trumpit.

Nuk është ky botëkuptimi që Bashkimi Europian ka ëndërruar. Por secili nga qeveritë e BE-së mund të pyesë veten: çfarë kemi bërë, gjatë këtyre viteve, që ai ëndërrim të bëhej realitet?