Odisea ishte shumë më tepër sesa një vepër argëtuese për grekët e lashtë. Arkeologët kanë zbuluar prova për ekzistencën e një kulti që nderonte heroin homerik në ishullin legjendar të Itakës, atdheun e tij.

Në fillim të Odisesë, protagonisti i lodhur nga lufta gjendet i ngujuar në një ishull të largët nga nimfa Kalipso. Ajo i premton Odiseut pavdekësi dhe rini të përjetshme, nëse ai zgjedh të qëndrojë pranë saj. Por pasi kishte kaluar dhjetë vjet duke luftuar kundër trojanëve së bashku me heronjtë e tjerë grekë, Odiseu dëshironte vetëm të kthehej te familja dhe në shtëpinë e tij, në ishullin grek të Itakës. Ai ëndërronte «të shihte qoftë edhe tymin që ngrihej nga atdheu i tij», siç shkruan Emily Wilson në përkthimin e saj të poemës epike të Homerit.

Udhëtimi i rrezikshëm dhjetëvjeçar drejt shtëpisë e çoi Odiseun përballë sprovave të panumërta. Ai mashtroi një ciklop, ia doli të mposhtte me zgjuarsi një magjistare dhe mbijetoi mes fatkeqësive të njëpasnjëshme.

Por trashëgimia e Odiseut nuk përfundoi me aventurat e përshkruara në poemë. Historia e këtij mbreti mitik pati edhe një kthesë të fundit, këtë herë në botën reale: Odiseu frymëzoi krijimin e një kulti fetar që mbijetoi për rreth një mijë vjet.

Dëshmitë e nxjerra nga gërmimet arkeologjike tregojnë se adhurimi i heroit homerik mund të ketë nisur rreth shekullit IX para erës sonë, në një kohë kur udhëtimi i tij i trazuar rrëfehej ende përmes poemave gojore. Kulti duket se mori hov pasi Odisea u hodh në shkrim, në fund të shekullit VIII para erës sonë.

Mes gjurmëve historike të këtij kulti heroik është zbuluar një faltore kushtuar Odiseut në Itakë, si edhe monedha dhe tjegulla të gjetura së fundmi, mbi të cilat ishte gdhendur emri i tij.

Këto zbulime hedhin dritë mbi ndërthurjen magjepsëse mes njerëzve realë, heronjve mitikë dhe besimit shpirtëror në botën e lashtë. Njëkohësisht, ato na ndihmojnë të kuptojmë më mirë mënyrën se si lindte dhe zhvillohej adhurimi i heronjve në atë periudhë.

Nga admirimi te adhurimi

Në Odisea, ndërsa heroi homerik endet mes deteve të trazuara dhe përballet me stuhi të pandërprera, mendimi për Itakën i jep forcë për të vazhduar. «Asnjë vend nuk mund të jetë më i ëmbël», thotë ai në këngën e nëntë të poemës epike.

Ndërkohë, familja e Odiseut dhe banorët e Itakës presin me dëshpërim kthimin e tij. Bashkëshortja e tij, Penelopa, e përshkruan Odiseun si «të ngjashëm me një perëndi» dhe si «një bashkëshort fisnik me zemër luani, më të talentuarin dhe më trimin mes të gjithë grekëve».

Edhe në botën reale, Odiseu la gjurmë të thella në Itakë, ishullin malor që ndodhet në perëndim të Greqisë kontinentale. Zbulimet e bëra atje dhe në zona të tjera krijojnë portretin e një personazhi mitik që zinte një vend qendror në jetën fetare dhe qytetare të grekëve të lashtë.

Gërmimet arkeologjike në ishull nisën në fund të shekullit XIX dhe kanë nxjerrë në dritë një sërë objektesh të lidhura me Odiseun, mes tyre edhe një bust të vogël prej bronzi të heroit homerik.

Një dekret i zbuluar në fund të shekullit XIX në territorin e Turqisë së sotme, mes rrënojave të një qyteti të lashtë grek, përmend ekzistencën në Itakë të një faltoreje kushtuar adhurimit të Odiseut, të njohur si «Odiseion». Dekreti, i cili daton në vitin 207 para erës sonë dhe ishte nxjerrë nga qytet-shteti i Itakës, përmend gjithashtu «Odiseia-n», një festë që zhvillohej për nder të heroit grek.

Në vitin 2025, arkeologët e Universitetit të Janinës në Greqi hodhën më shumë dritë mbi këto zbulime. Ata njoftuan se kishin gjetur në Itakë prova për ekzistencën e Odiseionit, pas gërmimeve të zhvilluara në rrënojat e një kompleksi monumental të njohur si Shkolla e Homerit. Kompleksi i përket periudhës helenistike, nga shekulli IV deri në shekullin I para erës sonë.

Gjatë gërmimeve, arkeologët zbuluan fragmente të tri tjegullave të çatisë, mbi të cilat ishte shkruar emri i heroit grek. Sipas Christina Marabeas, arkeologes që drejtoi gërmimet, këto zbulime tregojnë se kompleksi i njohur si Shkolla e Homerit ishte pikërisht Odiseioni.

Dy prej fragmenteve mbajnë të stampuara fjalët «i Odiseut» – ΟΔΥCCEOC në greqishten e lashtë – një mbishkrim që, sipas Marabeas, dëshmon qartë ekzistencën e një faltoreje kushtuar heroit në atë vend.

Arkeologia shpjegon se kjo mënyrë formulimi njihet edhe nga faltore të tjera të botës së lashtë greke, të ngritura për nder të perëndive të njohura. Në disa prej tyre janë zbuluar tjegulla me mbishkrime të tilla si «i Poseidonit» ose «i Apolonit», çka tregonte se ndërtesat u kushtoheshin këtyre hyjnive.

Në të njëjtën mënyrë, shprehja «i Odiseut», e gdhendur mbi tjegullat e zbuluara në Itakë, sugjeron se faltorja ishte ngritur posaçërisht për nder të heroit mitik.

Fragmenti i tretë i tjegullës përmban një dedikim që lexohet «Odiseut» dhe, sipas Marabeas, ka të ngjarë të jetë lënë aty nga një pelegrin. Vendosja e objekteve kushtimore, si sende prej balte ose bronzi dhe figurina të shoqëruara me një dedikim apo lutje të shkurtër, ishte një ritual mjaft i përhapur në shumë faltore të botës së lashtë.

Faltorja e Odiseut

Të marra së bashku, këto gjetje ofrojnë «prova të reja dhe vendimtare» se kompleksi i njohur si Shkolla e Homerit shërbente si faltore publike dhe vend grumbullimi për banorët vendas. Gjatë periudhës helenistike dhe viteve të para të sundimit romak, ai përdorej kryesisht për adhurimin e Odiseut, heroit të Luftës së Trojës.

Kështu shprehet Yannos Lolos, profesor emeritus i arkeologjisë prehistorike në Universitetin e Janinës, i cili drejtoi kërkimet.

«Asambleja qytetare mblidhej në Odiseion, ndërsa faltorja e Odiseut, ekzistenca e së cilës dëshmohet veçanërisht nga dy tjegullat që mbajnë të stampuar emrin e tij, mund të ketë qenë qendra e kultit. Ajo vizitohej nga pelegrinë vendas dhe të huaj, të cilët vinin për të nderuar heroin», thotë arkeologia Christina Marabea.

Zbulimet e fundit u shtohen dëshmive të mëparshme arkeologjike. Gjatë viteve 1930, brenda një shpelle kulti pranë bregdetit në veriperëndim të Itakës, u zbuluan 12 kazanë trekëmbësh prej bronzi, të cilët datojnë në shekujt IX dhe VIII para erës sonë. Sipas Marabeas, ata ka të ngjarë të kenë qenë blatime kushtuar Odiseut.

Një seri monedhash prej bronzi u zbuluan gjithashtu në një tjetër zonë arkeologjike në Aetos, në jug të Itakës. Në njërën anë të monedhave paraqitet koka me mjekër e Odiseut, një imazh «kaq i njohur për ne nga veprat e panumërta të artit grek dhe romak», shpjegon Lolos.

Ndërkohë, dekreti i zbuluar në territorin e Turqisë së sotme nxjerr në pah elemente të tjera të kultit të Odiseut.

«Ai përmban një ftesë drejtuar demosit, pra popullit të Magnezisë, për të zënë vende të privilegjuara gjatë festivalit Odiseia», thotë Marabea. «Nuk mund ta dimë me siguri se çfarë zhvillohej gjatë këtij festivali, por ka të ngjarë që ai të përfshinte gara atletike dhe interpretime teatrale të poemave epike.»

Sipas Joel Christensen, profesor i studimeve klasike në Universitetin e Qytetit të Nju Jorkut dhe autor i librit “Why Odysseus?: Survivor, Scoundrel, (Anti)hero”, gjatë festivalit Odiseia mund të zhvilloheshin gara të frymëzuara nga bëmat e heroit në poemën homerike, si hedhja e diskut dhe gjuajtja me hark.

Christensen mendon se gjatë kremtimeve mund të kryheshin edhe flijime kafshësh për nder të Odiseut dhe mbrojtëses së tij hyjnore, Athinasë, perëndeshës së mençurisë.

Përse grekët e lashtë adhuronin heronjtë

Faltoret kushtuar heronjve mitologjikë ishin të përhapura në të gjithë botën e lashtë greke, ku kufiri mes mitit dhe realitetit nuk ishte gjithmonë i qartë.

«Ndërsa grekët krijonin koloni dhe zhvillonin tregti në të gjithë Mesdheun, ata merrnin me vete perënditë, heronjtë dhe rrëfimet e tyre. Për këtë arsye, figurat mitologjike që kishin udhëtuar në shumë vende fituan një rëndësi të veçantë», shpjegon Joel Christensen.

Heronj mitikë si Herakliu, i njohur edhe si Herkuli, i cili ndërmori udhëtime të shumta për të përmbushur 12 bëmat e tij, apo Jasoni, që u nis në kërkim të Bashkës së Artë, shfaqen në vende të ndryshme kulti, thotë Christensen.

Në Romë, Herakliu adhurohej si figurë kulti që në vitin 600 para erës sonë. Një faltore kushtuar atij ekzistonte gjithashtu në ishullin grek të Tasosit.

Sipas Christensen, adhurimi i heronjve lidhej me krijimin e identitetit dhe me dëshirën e komuniteteve ose familjeve për ta lidhur veten me diçka më të madhe.

«Vendet e kultit kushtuar heronjve përmbushnin një nevojë thellësisht njerëzore: dëshirën për t’u ndier pranë hyjnores», shpjegon ai.

Heronjtë shiheshin si «gjysmëperëndi që ndodheshin pranë njerëzve dhe u krijonin atyre një urë lidhëse me botën hyjnore». Sipas Christensen, krahasimi më i afërt në botën moderne do të ishte ai me shenjtorët e krishterë.

Odiseu, ndërkohë, është «një figurë që kapërcen kufijtë mes jetës dhe vdekjes», shton studiuesi.

Në këngën e njëmbëdhjetë të Odisesë, heroi zbret në botën e të vdekurve për t’u këshilluar me një profet rreth udhëtimit të tij drejt shtëpisë.

«Ai flet me të vdekurit dhe më pas kthehet sërish në botën e të gjallëve. Në këtë mënyrë, Odiseu shndërrohet në një ndërmjetës të fuqishëm, të aftë për të kaluar nga njëra botë në tjetrën.»