Një peshk i rrallë 2.7 metra i gjatë, i emëruar me nofkën “Dita e Gjykimit”, është nxjerrë në sipërfaqe në një plazh në Tasmani. Krijesa e detit u zbulua në plazhin Ocean në bregun perëndimor të ishullit australian nga një grua Sybil Robertson që e kishte nxjerrë qenin për shëtitje. Ky lloj peshku shpesh interpretohet si një ogur i keq kur shihen jashtë habitatit të tyre natyror në thellësitë e oqeanit.

Roberson, e cila vlerësoi se peshku ishte rreth 2.7 metra i gjatë, tha për gjetjen e rrallë se: “Ishte fantastik. E dija që ishte diçka e pazakontë dhe e çuditshme”. Postimi u rishpërnda më pas në platformën sociale Reddit dhe u bë shpejt viral, me disa përdorues të internetit që komentuan mbi kuptimin e mundshëm të pamjes së peshkut, i cili është lidhur me parashikimin e ngjarjeve katastrofike në mitologjinë japoneze.

