Zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale sjell përfitime të mëdha për ekonomitë dhe shoqëritë globale, por njëkohësisht ngre edhe shqetësime serioze për rreziqet e saj, paralajmërojnë 40 ekspertë ndërkombëtarë në raportin e parë të një komiteti të pavarur shkencor të Kombeve të Bashkuara.

Raporti, i cili do të prezantohet në Dialogun Global të OKB-së mbi Qeverisjen e IA-së më 6–7 korrik në Gjenevë, përfaqëson vlerësimin e parë të pavarur dhe shkencor në nivel global mbi këtë teknologji. Një analizë më e detajuar pritet të publikohet vitin e ardhshëm.

Komiteti përbëhet nga ekspertë të zgjedhur nga rajone të ndryshme të botës dhe funksionon në mënyrë të pavarur nga qeveritë, kompanitë teknologjike dhe institucionet ndërkombëtare.

Sipas raportit, politikëbërësit kanë nevojë urgjente për më shumë prova shkencore për të rregulluar zhvillimin e inteligjencës artificiale, ndërsa theksohet se përparimi teknologjik po ecën më shpejt se aftësia e qeverive për ta kuptuar dhe kontrolluar atë.

Ekspertët shprehin shqetësim edhe për mungesën e mekanizmave efektivë për mbikëqyrjen e sistemeve gjithnjë e më autonome, si dhe për rastet në rritje të sjelljeve potencialisht mashtruese të disa modeleve të IA-së.

Një nga bashkëkryetarët e komitetit, Yoshua Bengio, ka paralajmëruar se inteligjenca artificiale mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme, si përmes vetë funksionimit të saj, ashtu edhe nga përdorimi keqdashës i saj nga aktorë të ndryshëm.

Raporti thekson se, pavarësisht potencialit të madh, zhvillimi i pakontrolluar i IA-së mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor, ekonominë, sistemet sociale dhe mjedisin, si dhe të krijojë sfida të reja në menaxhimin e teknologjisë.

Një tjetër shqetësim lidhet me pabarazinë globale në përdorimin e IA-së, ku mbi një miliard njerëz e përdorin atë çdo javë, ndërsa vendet në zhvillim mbeten prapa, ndërsa SHBA dhe Kina dominojnë infrastrukturën dhe fuqinë llogaritëse.

Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu për kufizime gjuhësore të modeleve ekzistuese, të trajnuara vetëm në një pjesë të vogël të mijëra gjuhëve në botë, gjë që mund të sjellë rreziqe në fusha sensitive si shëndetësia.

Raporti ngre alarmin edhe për rritjen e dezinformimit, deepfake-ve dhe materialeve të gjeneruara nga IA që lidhen me abuzime të rënda, duke theksuar se këto fenomene mund të minojnë besimin publik dhe proceset demokratike.

Sipas OKB-së, shumica e vendeve ende nuk kanë kapacitete të mjaftueshme teknike dhe institucionale për të vlerësuar apo rregulluar në mënyrë efektive sistemet më të avancuara të inteligjencës artificiale.