Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përfundoi votimin për zgjedhjen e pesë anëtarëve të rinj jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për mandatin 2027–2028.
Në grupin e Afrikës, Zimbabve, e cila ishte kandidate e vetme, u zgjodh me 182 vota. Ndërsa nga grupi i Amerikës Latine dhe Karaibeve, Trinidad dhe Tobago, gjithashtu si kandidaturë e vetme, u zgjodh me 181 vota.
Në grupin e Evropës Perëndimore dhe vendeve të tjera, dy vendet e disponueshme u siguruan nga Portugalia me 134 vota dhe Austria me 131 vota. Gjermania mbeti e treta, duke marrë 104 vota.
Në grupin Azi–Paqësor, zgjedhja nuk përfundoi në tre raundet e para. Në raundin e parë, Kirgistani kryesoi me 105 vota, kundrejt 85 votave të Filipinet. Në raundin e dytë ruajti epërsinë me 110 vota ndaj 81.
Në raundin e tretë diferenca u thellua më tej, me 123 vota për Kirgistanin dhe 68 për Filipinet, por pa u përmbyllur zgjedhja, duke çuar në një raund të katërt. Në raundin e katërt, Kirgistani siguroi fitoren me 142 vota kundrejt 49.
Sipas rregullave, për t’u zgjedhur kërkohet sigurimi i mbështetjes së dy të tretave të shteteve anëtare që marrin pjesë në procesin e votimit.
Pas zgjedhjes së Austrisë, ministrja e Jashtme Beate Meinl-Reisinger deklaroi se Vjena është “thellësisht mirënjohëse për mbështetjen” e marrë dhe se do ta marrë shumë seriozisht këtë përgjegjësi të re.
Ajo falënderoi vendet që i dhanë besimin, duke e cilësuar fushatën si “një përpjekje të koordinuar dhe masive të qeverisë austriake për të rritur praninë e saj në mbarë botën”.
Meinl-Reisinger theksoi se Austria do ta përdorë mandatin e saj për të “mbrojtur shtetin e së drejtës, mbrojtjen e civilëve”, si dhe për të adresuar “sfida të reja, si rreziqet që sjellin teknologjitë e reja dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike mbi paqen dhe sigurinë”.
Duke iu referuar sloganit të fushatës së Austrisë, ajo tha se “Partneriteti, Dialogu dhe Besimi” do të jenë tashmë “udhërrëfyes” për pjesëmarrjen e vendit në Këshillin e Sigurimit, duke shtuar se “të flasim me njëri-tjetrin është themeli i paqes”.
