Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi unanimisht një rezolutë të hartuar nga SHBA, duke zgjatur regjimin e sanksioneve ndaj Sudanit, përfshirë embargon e armëve, deri më 9 tetor.

Të 15 anëtarët votuan pro zgjatjes teknike njëmujore, e cila ruan masat ekzistuese dhe u jep palëve më shumë kohë për negociata mbi ndryshimet e mundshme në regjimin e sanksioneve.

Ambasadori amerikan Jeff Bartos tha se Uashingtoni synon zgjerimin e embargos së armëve nga Darfuri në të gjithë territorin e Sudanit. SHBA kërkon gjithashtu zgjerimin e kritereve të sanksioneve për të përfshirë dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, rrëmbimet për shpërblim dhe sulmet ndaj personelit humanitar.

Nga ana tjetër, ambasadori sudanez në OKB, Al-Harith Idriss Al-Harith Mohamed, kundërshtoi zgjerimin e embargos, duke argumentuar se një masë e tillë do të dëmtonte aftësinë e Sudanit për të rivendosur kontrollin dhe për t’u vetëmbrojtur.

Regjimi i sanksioneve, i vendosur në vitin 2005, aktualisht përfshin një embargo armësh të përqendruar në Darfur, si dhe ndalime udhëtimi dhe ngrirje të aseteve.

Sudani vijon të përballet me luftimet mes ushtrisë dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), të nisura në prill 2023, të cilat kanë shkaktuar dhjetëra mijëra viktima dhe miliona persona të zhvendosur.