Konferenca vjetore për shtyp e Presidentit rus Vladimir Putin, e mbajtur të premten në Gostinny Dvor, nuk u karakterizua vetëm nga pyetje serioze për pensionet, ndërtimin dhe luftën në Ukrainë, por edhe nga momente të pazakonta që janë bërë tashmë pjesë e spektaklit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme.

Një nga episodet më të komentuara ishte ai i gazetarit Kirill Bazhanov nga Channel 4 i Jekaterinburgut, i cili u ngrit në këmbë me një kravatë të kuqe dhe mbante një pankartë ku shkruhej se donte të martohej. Por pyetja e tij nuk iu drejtua presidentit rus, por të dashurës së tij, Olgës, të cilës i bëri publikisht propozimin për martesë.

Putin e komplimentoi gazetarin për paraqitjen e tij, duke i thënë: “Je gati për të shkuar në zyrën e gjendjes civile!”, ndërsa Bazhanov iu përgjigj se do të ishin shumë të lumtur ta shihnin presidentin në dasmë. Më vonë, gjatë konferencës që zgjati rreth katër orë e gjysmë, një nga moderatorët njoftoi se Olga kishte pranuar propozimin. Putin reagoi me shaka, duke sugjeruar mbledhjen e parave për dasmën.

Megjithëse episodi u bë viral, Bazhanov kishte edhe një pyetje konkrete për Putinin, lidhur me nevojën për mbështetje më të madhe për familjet e reja në Rusi.

Konferenca e fundvitit përfshiu gjithashtu pyetje mbi vonesat në pagesat e pensioneve, projektet problematike të ndërtimit dhe luftën në Ukrainë, ku Putini dërgoi trupa gati katër vjet më parë. Por, si çdo vit, mes çështjeve serioze nuk munguan as pyetje dhe situata më të lehta.

Gazetarë nga e gjithë Rusia dhe jashtë saj u përpoqën të tërhiqnin vëmendjen e presidentit duke mbajtur pankarta, duke veshur kostume tradicionale apo duke sjellë objekte simbolike. Një gazetar solli kukulla Labubu të personalizuara që përfaqësonin zyrtarë rusë dhe një tjetër në formën e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Një tjetër pyeti nëse një kometë që po i afrohej Tokës mund të ishte një UFO dhe siguroi se qyteti i Tyumenit ishte gati të priste mysafirë jashtëtokësorë.

Putin u shfaq i qetë gjatë gjithë seancës, megjithëse pati një moment tensioni kur gazetari taxhik Shamsudin Boboyev u përpoq t’i dorëzonte presidentit një libër. Ai u ndalua nga sigurimi, ndërsa zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov sugjeroi që dhurata të përshkruhej dhe t’i dorëzohej më vonë.

Në fund të konferencës, një gazetar e pyeti Putinin nëse ishte i dashuruar, duke iu referuar deklaratave të mëparshme të tij për dashurinë me shikim të parë. Presidenti rus, i cili e mban jetën private larg vëmendjes publike, u përgjigj shkurt: “Po”.