Çfarë lidhje kanë një manjat moldav në arrati dhe një kriptovalutë me bazë në Kirgizi me përpjekjet e Rusisë për t’i shmangur sanksionet perëndimore të kohës së luftës dhe për ta ndërtuar një sistem financiar krejtësisht të ri, të ndarë nga Perëndimi?

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ofroi një tregues në fillim të shtatorit, kur mori pjesë në një ceremoni virtuale për përurimin e një dege të re të një kompanie shërbimesh financiare në qytetin port të Paqësorit, Vladivostok.

Ky nuk është lloji i ngjarjes ku merr pjesë zakonisht Putini. Anije luftarake të sapo lëshuara? Po. Ceremoni për ndarjen e medaljeve në Kremlin? Po. Hapje degësh? Jo edhe aq shpesh.

Por, kompania, A7 LLC, nuk është firmë e zakonshme e shërbimeve financiare.

Eprorët kryesorë të saj përfshijnë Ilan Shor, një oligark në arrati i përfshirë në atë që është quajtur “vjedhja e shekullit”: një skandal që përfshinte më shumë se 1 miliard dollarë të vjedhur nga Moldavia, një nga vendet më të varfra në Evropë.

Bashkëdrejtuesi i tij ekzekutiv është kreu i bankës së tetë më të madhe të Rusisë, e cila është e lidhur ngushtë me kompleksin ushtarako-industriale rus – dhe për rastësi është i biri i një ish-kryeministri rus dhe ish-drejtori të shërbimeve të inteligjencës.

Në fjalime të shkurtra drejtuar Putinit përmes videove, të dy u krenuan për shumën e parave që kompania e tyre kishte përpunuar në 11 muajt që nga themelimi i A7: më shumë se 7 trilion rubla (12.4 miliardë dollarë).

Nëse është e vërtetë, kjo është një shifër shumë e madhe: sa 12 për qind e tregtisë së jashtme të të gjitha bizneseve ruse së bashku, sipas një llogaritjeje.

Dhe, pastaj është kriptovaluta që A7 e lansoi në janar.

E quajtur A7A5, kjo monedhë digjitale kishte regjistruar 41.2 miliardë dollarë të transferuara në përgjithësi deri në korrik; deri në gusht, shifra ishte rritur në 51.2 miliardë dollarë. Deri në nëntor, A7A5 – e cila është monedha e parë e qëndrueshme në botë e lidhur me rublën – kishte raportuar rreth 79 miliardë dollarë volum që nga lansimi, sipas Chainanalysis, një kompani me bazë në Nju Jork që ka kryer kërkime të thella mbi A7.

“Kjo është një shumë fenomenale parash. Është e jashtëzakonshme, për një organizatë që nuk ekzistonte një vit më parë”, tha Elise Thomas, hulumtuese australiane dhe autore e disa raporteve të Qendrës për Qëndrueshmëri të Informacionit, një OJF me bazë në Londër që fokusohet në shkeljet e të drejtave dhe krimet e luftës.

“Kjo është e çmendur. Shkalla e saj është vërtet e rëndësishme”.

“Përfshirja personale e Putinit në hapjen e zyrës së tyre në Vladivostok më tronditi edhe mua, që ai ishte në njëfarë mënyre i gatshëm ta shfaqte fytyrën e tij në lidhje me lansimin e A7”, tha ajo në një intervistë.

E shtrirë nga Moldavia te rrokaqiejt vezullues të Federation Toëer në Moskë e deri në Kirgizi, udhëheqësit e së cilës duan që ky vend i vogël i Azisë Qendrore të bëhet meka e inovacionit në kripto, A7A5 – sipas zyrtarëve perëndimorë dhe moldavë – është thelbësor për përpjekjet e Kremlinit për ta zbutur efektin e sanksioneve perëndimore të vendosura qëkurse Moska e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.

“Tokeni A7A5… është një mjet unik për shmangien e sanksioneve”, tha Andrew Fierman, shefi i inteligjencës së sigurisë kombëtare në Chainanalysis.

Dhe, nuk bëhet fjalë vetëm për shmangien e sanksioneve. Qëllimi më i gjerë i Kremlinit, thonë ekspertët, është të ndërtojë një sistem financiar paralel, jashtë rrjeteve ekzistuese ku dominojnë bankat perëndimore dhe dollari amerikan.

“Është çështje serioze për shkak të asaj se kush është Ilan Shor, dhe faktit që kjo është dizajnuar… për të funksionuar jashtë ndikimit dhe kontrollit të sistemeve tradicionale financiare të emëruara në dollarë amerikanë”, tha Carole House, e cila ka shërbyer si këshilltare për politikën e sigurisë kibernetike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë.

“Është e çuditshme të shohësh një mbështetjeje të tillë që vjen drejtpërdrejt nga qeveria, por edhe jo befasuese duke pasur parasysh synimet e tyre, pra të zbusin ndikimin e sanksioneve”, tha ajo.

Këto përpjekje nuk kanë kaluar krejtësisht pa u vënë re në Perëndim.

Më 23 tetor, Bashkimi Evropian njoftoi sanksione ndaj A7A5, A7 dhe kompanive të lidhura me to, duke e quajtur kriptovalutën “mjet të rëndësishëm për financimin e aktiviteteve që mbështesin luftën agresive të Rusisë”.

As A7 dhe as A7A5 nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it për koment. Shor nuk iu përgjigj kërkesës për intervistë.

Një Mekë në Azinë Qendrore për kriptovaluta

Prej të paktën vitit 2021, Qeveria në Bishkek ka tentuar ta shndërrojë Kirgizinë në një qendër të kriptovalutave, duke kërkuar të tërheqë investitorë, kripto dhe këmbimore. Që nga viti 2025, ajo raportoi të paktën 13 këmbimore kriptovalutash të regjistruara dhe ka vënë themelin për një kriptomonedhë kombëtare të quajtur USDKG.

Dokumentet e regjistrit të korporatave, të siguruara nga REL-i nga Ministria e Drejtësisë së Kirgizisë, tregojnë se lëshuesi i A7A5 është një kompani kirgize e quajtur Old Vector, e regjistruar për herë të parë në dhjetor 2024. Dokumentet tregojnë gjithashtu se kompania që ia siguron monedhën Old Vector-it është A7-Kyrgyzstan LLC.

Midis janarit dhe korrikut, selia e regjistruar e Old Vector ishte një shtëpi e vogël dhe e rrënuar, e rrethuar nga ndërtesa më të reja e më moderne dhe shtëpi familjare.

Në korrik, kur gazetarët e REL-it e vizituan shtëpinë – e cila ndodhet prapa një rruge me zhavorr, e fshehur pas një gardhi metalik ngjyrë të kaltër e ndryshkur dhe blloqesh betoni – dy djem të vegjël që hapën derën thanë se nuk ishin në dijeni për ndonjë kompani të regjistruar në adresën e tyre. Një fqinj ngjitur tha se në atë adresë nuk ekzistonte asnjë kompani me atë emër.

Rreth një muaj më vonë, selia e firmës e Old Vector u zhvendos në një adresë tjetër në periferi të Bishkekut, në një ndërtesë shumëkatëshe të quajtur South Park, e përbërë kryesisht nga banesa.

Vetë A7 ka regjistruar një numër kompanish të ndërlidhura në Bishkek, sipas dokumenteve të Ministrisë së Drejtësisë të siguruara nga REL-i.

A7-Kyrgyzstan, e cila u regjistrua më 17 janar, ndodhet në katet e sipërme të një kompleksi që dikur ishte një qendër tregtare e madhe. Gazetarët e REL-it tentuan të hynin në katin ku raportohej se ndodheshin zyrat, por rojet e sigurisë nuk i lejuan.

Një tjetër entitet i lidhur me Shorin, i quajtur Evrazia, ka regjistruar gjithashtu marka tregtare për disa kompani me emra të ngjashëm në Bishkek. E themeluar në Moskë si një organizatë jo fitimprurëse, Evrazia është implikuar në një sërë aktivitetesh të synuara për destabilizimin e zgjedhjeve në Moldavi. Bashkimi Evropian i vendosi sanksione Evrazias në tetor 2024.

Megjithëse u lansua në janar, A7A5 nuk filloi të tregtohej publikisht deri në shkurt, kur u shfaq në një këmbimore kriptomonedhash në Moskë të quajtur Garantex.

Garantex kishte tërhequr vëmendjen e organeve perëndimore të drejtësisë prej vitesh, të cilat pretendonin se ajo shërbente si kanal për fonde të përdorura në pastrim parash, ransomware, hakime kompjuterike dhe shkelje të sanksioneve.

Këmbimorja ishte e popullarizuar sepse, ndër të tjera, ofronte një mënyrë të lehtë për të shkëmbyer kriptovaluta me monedha më të qëndrueshme më të njohura si USDT, e cila është e lidhur me dollarin, duke e bërë më të lehtë tërheqjen e tyre në valuta më pak të paqëndrueshme.

Në vitin 2022, Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione financiare ndaj Garantex. Por, vetëm pas tri vjetëve këmbimorja i mbylli shërbimet, pasi dy nga operatorët kryesorë të Garantex-it u akuzuan nga një juri e madhe federale për pastrim parash. Autoritetet amerikane sekuestruan disa faqe interneti të Garantex-it.

Agjencitë gjermane dhe finlandeze konfiskuan serverët që pritnin operacionet e këmbimores. Më shumë se 26 milionë dollarë në kriptovaluta, të cilat zyrtarët thanë se ishin përdorur për pastrim parash, u sekuestruan gjithashtu nga shërbimi sekret i SHBA-së.

Në javët menjëherë para dhe pas sekuestrimit të marsit 2025, analistët thanë se miliarda monedha A7A5 u zhvendosën nga Garantex në një këmbimore të re të quajtur Grinex, e regjistruar për herë të parë në Kirgizi në dhjetor të vitit të kaluar. Shumica dërrmuese e transaksioneve të A7A5 tani kryhen në Grinex dhe në një këmbimore më të vogël të quajtur Meer.kg.

Lidhja midis Grinex dhe A7 nuk është e qartë. Një burrë kirgiz, i përmendur në dokumentet e Ministrisë së Drejtësisë si themelues i Grinex, refuzoi të komentojë për REL nëse kompania e tij ka lidhje me këmbimoren kripto me të njëjtin emër.

Hetuesit financiarë amerikanë, megjithatë, thonë se Grinex u krijua pikërisht për të ndihmuar tregtarët, të cilëve u janë ngrirë fondet kur Garantex u mbyll, që të rikuperonin paratë e tyre duke përdorur A7A5.\

Dueli në Kishinjev

Moldavia ka qenë për vite me radhë në qendër të beteje mes Evropës dhe Rusisë.

Fitorja e Maia Sandu zgjedhjet e vitit 2020, një ekonomiste e trajnuar në Perëndim që ka punuar në Bankën Botërore, i dha përparësinë Perëndimit. Shor dëshiron t’ia kthejë përparësinë Rusisë.

Në vitin 2014, Moldavia u trondit nga një mashtrim masiv bankar që rezultoi në nxjerrjen jashtë vendit të më shumë se 1 miliard dollarëve – gati një e teta e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Autoritetet akuzuan Shorin si arkitektin pas “vjedhjes së shekullit” dhe ai u largua nga vendi në vitin 2019, duke kaluar kohën mes Izraelit dhe më pas Moskës.

Ai u dënua në mungesë me 15 vjet burgim në vitin 2023 nga një gjykatë në Kishinjev; partia e tij politike që mban emrin e tij është ndaluar.

Gjatë të paktën tri fushatave zgjedhore, zyrtarët moldavë dhe perëndimorë thonë se Shor ka tentuar vazhdimisht të blejë vota, të përhapë dezinformata dhe madje të rekrutojë dhe trajnojë të rinj moldavë për të nxitur trazira dhe provokuar policinë. Mes skemave që zyrtarët thonë se kanë zbuluar ishin transferime parash për moldavë duke përdorur karta bankare të lëshuara nga Promsvyazbank, banka shtetërore ruse me të cilën Shor ka pasur bashkëpunim.

Shor ka punuar me “individë rusë për të krijuar një aleancë politike për të kontrolluar Parlamentin e Moldavisë, i cili më pas do të mbështeste disa ligje në interes të Federatës Ruse”, tha Departamenti amerikan i Thesarit në tetor 2022, kur ai u sanksionua për herë të parë.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, autoritetet moldave akuzuan Shorin për orkestrimin e një skeme që kanalizoi më shumë se 15 milionë dollarë nga bankat ruse në llogaritë e mbi 130.000 qytetarëve moldavë.

Skema përfshinte dërgimin e kartave bankare të parashtruara më parë, duke përdorur sistemin rus të pagesave “Mir”, tek njerëz që mund të udhëtonin në rajonin separatist të Transnistrisë për të tërhequr para. Zyrtarisht pjesë e Moldavisë, Transnistria operon në një zonë ligjore të pasqaruar, me lidhje të ngushta ekonomike me Moskën.

Grupi jofitimprurës i Shorit me bazë në Moskë, Evrazia, gjithashtu rekrutoi qindra të rinj moldavë për të marrë pjesë në një program, duke ofruar udhëtime falas në Rusi, darka të shtrenjta dhe mundësinë për miliona rubla në formë grantësh.

Kryeministri i Moldavisë më vonë tha se agjentët rusë shpenzuan gjithsej rreth 220 milionë dollarë për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2024, të cilin e fitoi Sandu me rreth 55 për qind të votave. Një referendum i njëkohshëm që pyeste moldavianët për anëtarësimin në Bashkimin Evropian u miratua, por rezultati ishte shumë më i ngushtë sesa parashikohej.

Disa ditë para zgjedhjeve parlamentare të shtatorit, autoritetet moldave thanë se kishin zbuluar një tjetër fushatë destabilizimi dhe kryen bastisje në dhjetëra lokacione në mbarë vendin, duke arrestuar më shumë se 70 persona. Disa nga të arrestuarit dyshohet se kishin udhëtuar në kampe në Bosnje dhe Serbi për trajnim për ta konfrontuar dhe provokuar policinë. Autoritetet moldave thanë se fushata përdorte “rrjetin e grupit Shor dhe burimet e jashtme”.

“Shmangia e sanksioneve dhe ndërhyrja politike [moldave], nuk mendoj se janë të lidhura drejtpërdrejt”, tha Thomas. “Mendoj se shmangia e sanksioneve është loja kryesore për momentin. Megjithatë, padyshim, Shor ka interesa personale të konsiderueshme në Moldavi dhe ndoshta i kushton shumë vëmendje në nivel personal”.

“Ajo që po bën Shor, nuk është vetëm problem i Moldavisë”, tha një zyrtar moldav, i cili foli me kusht që të mos identifikohej. “Ai i ofron Rusisë një shërbim, për të shmangur sanksionet, dhe fiton para prej tij”.

Promsvyazbank nuk iu përgjigj kërkesës për koment.

“Një infrastrukturë e qëndrueshme ndaj çdo ndikimi të jashtëm”

Prej vitit 2022, pjesa më e madhe e sistemit bankar rus është izoluar nga rrjetet financiare perëndimore, si pasojë e luftës në Ukrainë. Sektori bankar është shkëputur nga SËIFT, sistemi i mesazheve i domosdoshëm për operacionet bankare globale, ndërsa Visa dhe Mastercard e kanë shkëputur Rusinë nga sistemet e tyre të pagesave, dhe bankat perëndimore kanë ngrirë llogaritë e Qeverisë ruse.

Si rezultat, autoritetet ruse kanë tentuar të ndërtojnë një sistem financiar paralel. Vende të tjera kanë shprehur mbështetje për këtë përpjekje, duke përfshirë Kinën, Brazilin, Indinë dhe ekonomi të tjera të mëdha.

“Zhvillimi i tokenit A7A5 duket të jetë hapi logjik i radhës në përpjekjet e Rusisë për të zhvilluar sisteme alternative për pagesa, për të shmangur sanksionet”, tha Fierman.

Derisa Putini shikonte në ngjarjen e 4 shtatorit në Vladivostok, Shor dukej i nervozuar, duke lëvizur nga njëra anë në tjetrën ndërsa përshkruante qëllimet e “qendrës financiare” të quajtur Far Eastern International Financial and Settlement Center.

“Deri sot, në 10 muaj operacion, kemi kryer transaksione me vlerë më shumë se 7.5 trilionë rubla”, tha ai. “Sot, duke marrë parasysh se më shumë se 50 për qind e të gjitha pagesave tona bëhen drejt vendeve aziatike, kemi vendosur të hapim një qendër financiare këtu”.

Duke qëndruar pranë Shorit ishte bashkëdrejtori i tij: Pyotr Fradkov, i cili udhëheq Promsvyazbank me bazë në Moskë që nga viti 2018. Babai i tij është Mikhail Fradkov, kryeministri i Putinit nga vitet 2004-2007 dhe drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme për nëntë vjet pas asaj periudhe.

I njohur si PSB, Promsvyazbank u nacionalizua nga Qeveria ruse në të njëjtin vit gjatë një krize bankare dhe u riorientua për të shërbyer sektorit në rritje të industrisë ushtarake të Rusisë. Në vitin 2022, PSB u godit nga sanksionet e Thesarit, ashtu si dhe Pyotr Fradkov.

Promsvyazbank mban 49 për qind të aksioneve të A7. Rublat, të cilave u është ankoruar monedha A7A5, duke e bërë monedhë të qëndrueshme, janë depozita të mbajtura nga banka.

A7 është vendosur në rrokaqiejt e rinj modernë të Federation Tower në Moskë – i njëjti vend ku ishte regjistruar Garantex, së bashku me disa kompani që dyshohet të jenë të lidhura me skema famëkeqe ransomware.

A7 po bën gjithashtu përpjekje për t’u bërë kompani me filiale duke hapur degë ku klientët mund të depozitojnë, të tërheqin para, të tregtojnë kriptovaluta dhe të kryejnë pagesa ndërkufitare. Përveç Moskës dhe Vladivostokut, kompania thotë se po hap degë në qytete jashtë vendit, si Harare në Zimbabve dhe Lagos në Nigeri.

Në korrik, A7 njoftoi se klientët e PSB do të mund të blinin tokena A7A5 duke përdorur kartat bankare të PSB-së.

Në të njëjtin muaj, Bashkimi Evropian shënjestroi A7 për herë të parë, duke thënë se ishte “e lidhur me përpjekjet për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale dhe referendumin kushtetues të vitit 2024 për anëtarësimin në BE”.

Rreth të njëjtës kohë, numri i monedhave A7A5 në qarkullim u rrit mbi 240 për qind, sipas firmës analitike Elliptic, me mbi 1 miliard dollarë në transferta ditore të A7A5.

Kompanitë dhe individët kinezë raportohet të jenë përdoruesit më të mëdhenj të platformave të pagesave A7 deri më tani, sipas dokumenteve të marketingut të kompanisë të publikuara online dhe të theksuara nga Center for Information Resilience.

Autoritetet perëndimore po përpiqen ta mbajnë hapin.

Në mes të gushtit, rreth tri javë para se Shor dhe Fradkov të shfaqeshin në videokonferencën me Putin, autoritetet amerikane dhe britanike vendosën sanksione ndaj A7 dhe më shumë se gjashtë kompanive të ndërlidhura, përfshirë Grinex dhe Old Vector.

Një muaj më vonë, megjithatë, kapitalizimi total i tregut të A7A5 – në thelb vlera e të gjitha monedhave në qarkullim – u rrit gati 250 për qind, duke e bërë atë monedhën e qëndrueshme më të madh jo të ankoruar në dollarin amerikan.

“Ne tashmë kemi provuar se një monedhë digjitale kombëtare mund të jetë jo vetëm një alternativë ndaj dollarit, por edhe një motor i ndryshimit global”, tha A7A5 në një postim triumfues në Telegram.

Bashkimi Evropian iu përgjigj më 23 tetor me më shumë sanksione që synonin asetet kripto të lidhura me Rusinë dhe rundin e dytë që synonte A7.

Në një postim në Telegram, A7A5 u tall me njoftimin.

“Çfarë do të ndryshojë kjo? Asgjë!” tha kompania. “Sepse, që nga fillimi, ne ndërtuam një infrastrukturë që i bën ballë çdo ndikimi dhe kufizimi të jashtëm”. /REL/