Forcat e Armatosura të Britanisë së Madhe zhvilluan një operacion të rrallë në një nga zonat më të izoluara të botës, për t’i ardhur në ndihmë një shtetasi britanik me simptoma të dyshuara të hantavirusit.
Ngjarja ndodhi në ishullin Tristan da Cunha, në Oqeanin Atlantik Jugor. Sipas ushtrisë britanike, gjashtë parashutistë, një këshilltar i RAF dhe një infermiere ushtarake u dërguan me një mision special drejt ishullit. Ata u hodhën me parashutë nga një avion ushtarak për të ofruar ndihmë mjekësore për pacientin britanik, i cili kishte shfaqur simptoma të ngjashme me hantavirusin.
Ekipi mbërriti në ishull duke transportuar pajisje mjekësore, oksigjen dhe ndihma humanitare për pacientin. Operacioni u realizua me avionin ushtarak RAF A400M, i cili u nis nga baza RAF Brize Norton dhe bëri ndalesë në Ascension Island. Misioni u mbështet gjithashtu nga një avion furnizimi RAF Voyager.
Tristan da Cunha ndodhet në Atlantikun Jugor dhe konsiderohet një nga vendet më të largëta dhe më të izoluara të banuara në botë, gjë që e bëri operacionin edhe më të vështirë.
