Një operacion i përbashkët mes autoriteteve të Ekuadorit dhe Spanjës, me mbështetjen e Europol-it, ka çuar në arrestimin e 21 personave të dyshuar si pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës drejt Evropës, raporton gazeta spanjolle “El País”.
Mes të arrestuarve është edhe Jackson Felipe Zambrano, të cilin presidenti ekuadorian, Daniel Noboa, e ka cilësuar si një nga financuesit kryesorë të Wilmer Chavarría, i njohur me nofkën “Pipo”, drejtues i organizatës kriminale “Los Lobos”.
Në mesin e personave të ndaluar janë edhe dy efektivë policie që ishin ende në detyrë.
Gjatë operacionit të zhvilluar një ditë më parë, autoritetet kryen 23 kontrolle në provincat Guayas dhe Los Ríos në Ekuador.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Spanjës, hetimi nisi në tetor të vitit 2024, pas sekuestrimit të më shumë se 13 tonëve kokainë në një kontejner me banane në portin e Algecirasit, në Spanjë.
Gjatë hetimeve u identifikuan 14 sekuestrime droge që dyshohet se lidhen me këtë rrjet kriminal, me një sasi totale prej rreth 42,5 tonësh kokainë të kapur në Ekuador dhe në disa vende evropiane.
Sipas dyshimeve të hetuesve, kokaina sigurohej në Kolumbi, transportohej në Ekuador dhe më pas dërgohej me rrugë detare drejt Spanjës, Belgjikës, Portugalisë dhe Holandës.
Për të kamufluar aktivitetin e paligjshëm, organizata dyshohet se përdorte kompani eksporti të frutave, kakaos, produkteve të detit dhe lëndës drusore, brenda ngarkesave të të cilave fshihej droga.
Një nga pistat që po hetojnë autoritetet është edhe ekzistenca e lidhjeve të mundshme mes organizatës kriminale dhe mafias ballkanike.
Wilmer Chavarría, i njohur si “Pipo”, u arrestua në Spanjë në nëntor të vitit 2025, sipas raportimeve për çështjen.
Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht aktivitetin e rrjetit, për të përcaktuar përgjegjësinë e personave të arrestuar dhe për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm.
Të gjithë të arrestuarit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
