Prestigjiozja amerikane New York Times ka zbuluar një mision sekret të marinsave elitë, Navy SEAL, gjatë vitit 2019, kur ata zbarkuan në Korenë e Veriut për të instaluar një pajisje përgjimi, por operacioni dështoi. Ngjarja ndodhi gjatë mandatit të parë të Presidentit Donald Trump.
Ishte një natë dimri kur një grup Navy SEAL doli nga deti dhe u afrua në bregun me shkëmbinj të Koresë së Veriut. Qëllimi i misionit ishte të vendosnin një pajisje elektronike që do t’i mundësonte Shteteve të Bashkuara të ndërhynin në komunikimet e liderit Kim Jong-un gjatë bisedimeve për armët bërthamore. Operacioni kishte potencialin të siguronte informacione të vlefshme inteligjence, por gjithashtu rrezikonte jetën e ushtarëve amerikanë dhe mund të shkaktonte një krizë ndërkombëtare.
Misioni kërkonte miratimin e drejtpërdrejtë të Presidentit Trump. Për realizimin e tij, u zgjodh Red Squadron, një njësi e njohur e SEAL Team 6, e cila kishte kryer më parë misionin për eliminimin e Osama bin Laden. Pas muajsh stërvitje intensive, operacioni dështoi sapo SEAL mbërritën në bregun që mendonin se ishte i braktisur. Një anije civil koreano-veriore u shfaq papritur, dhe pas një shkëmbimi të shkurtër zjarri, të gjithë pasagjerët e anijes humbën jetën. Pajisja e përgjimit nuk u vendos, dhe ekipi u tërhoq drejt detit.
Detajet e operacionit mbetën të klasifikuara, dhe as Kongresi i SHBA-së nuk u informua përpara apo pas misionit. Pas operacionit, satelitët amerikanë vunë re rritje të aktivitetit ushtarak në zonë, por nuk pati reagime publike nga Koreja e Veriut.
Në fund të shkurtit 2019, Trump dhe Kim Jong Un u takuan në Vietnam për një samit bërthamor, por bisedimet dështuan dhe Koreja e Veriut rifilloi testet e raketave.
Ky mision sekret është një nga shembujt e rrezikut të lartë të operacioneve ushtarake sekrete, ku çdo gabim mund të ketë pasoja të paparashikueshme dhe katastrofike në marrëdhëniet ndërkombëtare.