Autoritetet turke kanë zhvilluar një tjetër fazë të operacionit kundër narkotikëve, duke zgjeruar hetimet drejt botës së kinemasë dhe medias. Më 19 dhjetor, Prokuroria e Stambollit urdhëroi ndalimin e tetë personave, mes të cilëve edhe aktorja e njohur Ezgi Eyüboğlu.
Sipas njoftimit zyrtar, Eyüboğlu dyshohet për blerje, posedim ose përdorim të lëndëve narkotike për përdorim personal. Ndërkohë, të dyshuar të tjerë përballen me akuza më të rënda. Menaxheri Eser Küçükerol dhe İsmail Ahmet Akçay, i identifikuar si shofer i biznesmenit Kasım Garipoğlu, janë ndaluar nën dyshimet për prodhim dhe trafikim droge, ndërsa për vetë Garipoğlu janë lëshuar urdhër-arreste.
Hetimi përfshin gjithashtu persona të tjerë të ndaluar për vepra penale të ndryshme, si lehtësimi apo nxitja e prostitucionit dhe mbajtja e paligjshme e armëve. Gjatë kontrolleve të kryera, policia sekuestroi armë zjarri të licencuara dhe të palicencuara, një armë manovër, kartëmonedha false në dollarë amerikanë, si dhe lëndë të ndryshme narkotike, përfshirë pilula, drogë sintetike në formë kristali dhe pajisje për përdorim droge.
Ky aksion është pjesë e një hetimi më të gjerë që ka nisur javët e fundit. Më 17 dhjetor u arrestua gazetarja dhe prezantuesja Ela Rümeysa Cebeci, ndërsa një ditë më pas u ndaluan për verifikime disa figura të njohura të artit dhe rrjeteve sociale, përfshirë aktoren İrem Sak, këngëtaren Aleyna Tilki dhe disa influencere, të cilat u liruan pas kryerjes së testeve mjekësore.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet vijojnë dhe se janë shpallur në kërkim edhe persona të tjerë që nuk janë gjetur në adresat e tyre ose ndodhen jashtë Turqisë. Operacioni aktual pason një aksion të ngjashëm të zhvilluar në tetor, ku disa emra të njohur u ndaluan përkohësisht, ndërsa një pjesë e tyre u liruan më pas pa akuza.
