Numri i të vrarëve gjatë një operacioni të përgjakshëm policor kundër bandës kriminale Comando Vermelho (Komanda e Kuqe) në Rio de Zhaneiro arriti në të paktën 132 vetë. Kjo u njoftua nga zyra e Avokatit të Popullit të shtetit të Rio de Zhaneiros. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Policia Federale e Rio de Zhaneiros raportoi për 119 të vdekur pas orësh luftimesh në favelat Alemão dhe Penha. Qeveria e shtetit Rio de Zhaneiro konfirmoi fillimisht 64 të vdekur, ndër të cilët edhe katër oficerë policie. Por gjatë të mërkurës (29.10.) banorët e favelës Penha nxorën dhjetëra trupa nga djerrinat dhe zonat pyjore përreth dhe i vendosën në rrugën kryesore të lagjes.


Zëdhënësi i policisë ushtarake, Marcelo de Menezes Nogueira, tha për TV Globo se mendon se ka edhe më shumë të vdekur që ende nuk janë regjistruar. Banorët e favelave i rreshtuan trupat pa jetë në rrugë. Shumë prej tyre ishin të veshur vetëm me të brendshme. Anëtarët e familjeve nisën kërkimin e të dashurve të tyre, ndërsa të tjerë vajtonin për të afërmit e vdekur.

“Në 36 vjet që jetoj në favelë, gjatë të cilave kam qenë dëshmitar i disa operacioneve dhe masakrave, nuk kam parë kurrë diçka të krahasueshme me atë që po shoh sot”, tha për TV Globo aktivisti Raull Santiago, i cili ndihmoi në gjetjen e trupave. “Kjo është diçka e re. Brutale dhe e dhunshme në një nivel të panjohur më parë.”

“Operacioni ishte aksioni më i përgjakshëm policor në historinë e shtetit të Rio de Zhaneiros. Por pavarësisht numrit të viktimave, guvernatori Cláudio Castro e quajti operacionin sukses. “Ne mbështesim gjithçka që bëmë dje,” tha ai, duke u shprehur ngushëllime familjeve të katër oficerëve të vrarë. “Viktimat e vetme dje ishin oficerët e policisë.” tha ai.


Comando Vermelho është një nga kartelet më të mëdha kriminale në Brazil dhe është kryesisht e përfshirë në trafikun e drogës. Sipas autoriteteve gjatë operacionit u arrestuan 81 të dyshuar, ndër ta edhe një udhëheqës rajonal i grupit si dhe shefi i financave të njërit prej bosëve kryesorë të bandë.

Policia gjithashtu sekuestroi mbi 90 armë automatike dhe më shumë se 200 kilogramë drogë. Pas operacionit dhjetë udhëheqës të lartë të Comando Vermelho, që gjenden në burg, u transferuan në një burg të sigurisë së lartë. Ata dyshohet se kanë urdhëruar akte hakmarrjeje kundër forcave të sigurisë./DW