Një incident i pazakontë në palestër u shndërrua në një alarm serioz shëndetësor për britanikun Tom Park-Paul, i cili në moshën 34-vjeçare u përball me një hemorragji cerebrale të shkaktuar nga një keqformim arteriovenoz (AVM) në tru.

Duke rrëfyer historinë e tij për The Guardian, Park-Paul tregon se gjithçka nisi në një të diel të majit 2017. Teksa ndodhej në palestër, dëgjoi një tingull të fortë, të cilin e përshkroi si një “pop”. Edhe pse nuk kishte dhimbje, ai mbeti i shtangur dhe humbi ndjesinë në këmbën e majtë.

Ai u transportua në urgjencën e spitalit St Thomas’ në Londër, ku fillimisht mjekët dyshuan për një problem në shtyllën kurrizore. Sipas rrëfimit të tij, ai u largua nga spitali, ndërsa imazhet e trurit nuk u interpretuan në kohë.

Situata ndryshoi disa ditë më vonë, kur një mik i tij, që në atë kohë punonte si infermier në terapi intensive, këmbënguli që të kryhej një skaner CT. Ekzaminimi zbuloi një hemorragji të konsiderueshme në tru dhe 34-vjeçari u transferua te specialistët e King’s College Hospital.

Mjekët konstatuan se Park-Paul kishte një keqformim arteriovenoz, një rrjet të çrregullt enësh gjaku në tru, i cili ishte çarë pranë zonës përgjegjëse për lëvizjen e gjymtyrëve. AVM-ja u klasifikua në gradën 4 sipas sistemit Spetzler-Martin, duke e bërë ndërhyrjen kirurgjikale veçanërisht komplekse.

Operacioni u krye disa javë më vonë dhe zgjati më shumë se 16 orë. Por edhe gjatë ndërhyrjes ndodhi një incident i pazakontë: pjesa e kafkës së hequr për të mundësuar operacionin ra aksidentalisht në dyshemenë e sallës së operacionit.

Pjesa u pastrua dhe pacientit iu administruan antibiotikë shtesë. Sot, Park-Paul e kujton episodin me humor, duke thënë se i duket ende e pabesueshme që një pjesë e kafkës së tij përfundoi në dysheme.

Pas ndërhyrjes, ai e përshkruan operacionin si një moment vendimtar që i shpëtoi jetën.