Visar YmeriKosovë


Tre liderët opozitarë kanë thënë se do të vazhdojnë të protestojmë për rrëzimin e qeverisë


Visar Ymeri, lider i Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se nëpërmjet protestës së të shtunës, qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar, sipas tij, në mënyrë referendumi, se janë kundër qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa dhe se duan që kjo qeveri të japë dorëheqjen sa më parë”


Në sheshin “Skënderbeu” në Kosovë, aty ku një ditë më parë është zhvilluar protesta e organizuar nga opozita, tre liderët e partive të kësaj të fundit, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për mediat. Visar Ymeri i Lëvizjes Vetëvendosje, Ramush Haradinaj i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Fatmir Limaj nga Nisma për Kosovën, e kanë vlerësuar protestën e së shtunës si më masiven dhe më të mirën që ka ndodhur në Kosovë që nga lufta e deri më sot. Ymeri ka thënë se nëpërmjet protestës së të shtunës, qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar, sipas tij, në mënyrë referendumi, se janë kundër qeverisë së udhëhequr nga Isa Mustafa dhe se duan që kjo qeveri të japë dorëheqjen sa më parë”. “Qytetarët e Republikës së Kosovës kanë ardhur në Prishtinë, në kryeqytetin e Republikës, në sheshin “Skënderbeu”, për t’i treguar Qeverisë së Republikës së Kosovës se nuk ka as legjitimitet demokratik e as legalitet institucional, që të vazhdojë tutje. Protesta e djeshme (9 janar) ka treguar se Qeveria e Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, nuk janë më as kryeministra e as ministra të Republikës së Kosovës”, ka thënë Ymeri. Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se është ndier i emocionuar gjatë protestës së të shtunës, për shkak të  pjesëmarrjes së madhe të qytetarëve të Kosovës në protestë. “Këto emocione vijnë për faktin se ne e dimë që Kosova është keq. Është keq për shkakun e udhëheqjes, e cila jo vetëm që ka udhëhequr gabim gjithë këto vite, por edhe ka marrë vendime që janë të rrezikshme për vendin. Dje i kemi kërkuar qeverisë së vendit që të largohet. E kanë kërkuar qytetarët e vendit. Tani koha e do që këta të reflektojnë”, është shprehur Haradinaj. Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka theksuar se qytetarët që kanë marrë pjesë në protestën masive të së shtunës, kanë dërguar dy porosi. “E para, se Kosova është aktive dhe se nuk pranon të qeveriset nga një qeveri që ka shkelur Kushtetutën. Dhe e dyta, porosia është për qeveritarët: populli ju ka hequr besimin dhe populli nuk pranon që ju të vazhdoni t’i qeverisni. Kërkojmë dorëheqjen tuaj që të dalim sa më shpejt nga kjo krizë politike, vendi të shkojë në zgjedhje dhe kështu, të bien të dy marrëveshjet që kanë qenë dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe kundër interesave të Kosovës”, ka theksuar Limaj. Ndërkaq, lidhur me dhunën, e cila ka shpërthyer nga një grup protestuesish, pas përfundimit të fjalimeve të liderëve të opozitës në protestën e së shtunës, e cila rezultoi me përplasje me Policinë e Kosovës, lideri i Vetëvendosjes, Ymeri, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të drejtpërdrejtë. Ai ka theksuar se porosia e protestës së 9 janarit, është porosi, sipas tij, e 100 mijë qytetarëve. “Kjo ka qenë protesta në të cilën janë bashkuar një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Republikës dhe të cilët, me ngulm kanë kërkuar largimin e kësaj qeverie. Pra, protesta e djeshme është përmbyllur, si protestë masive, me një kërkesë të qartë: që shkelësit e Kushtetutës dhe ata që e kanë dëmtuar rëndë interesin e Republikës, sovranitetin e saj dhe integritetin territorial, nuk mund të mbesin më në krye të vendit”, ka shtuar Ymeri. Protesta e 9 janarit e thirrur nga partitë opozitare, është e para në këtë vit, pas një varg tubimesh dhe protestash të organizuara edhe në disa qendra të tjera të Kosovës, të cilat janë organizuar në kundërshtim të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, më 25 gusht, lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi.