Kriza në Eurozonë
Pas deklaratave shpresëdhënëse, investitorët po testojnë seriozitetin e kryebankierit
Presidenti i Bankës Qendrore të Europës, Mario Draghi, do të duhet të mbështesë me prova deklaratën e tij të mëparshme, ku tha se “do të bëjë ç’është e nevojshme” për të shpëtuar euron, raporton agjencia “Reuters”, dhe duket se ora e provës do të mbërrijë këtë të enjte, kur ai do të shpallë detajet e planit të vet për blerjen e bondeve të vendeve në vështirësi.
Investitorët po presin të shohin se çfarë përmban plani antikrizë i Draghi-t dhe se a është plani i mjaftueshëm për të zgjidhur problemet e Italisë e Spanjës. Plani i Draghi-t thuhet se është gati, madje një pjesë e tij ka dalë sakaq në qarkullim në mënyrë të paautorizuar. Bondet qeveritare të Spanjës dhe Italisë pësuan rënie të interesave gjatë ditës së djeshme, ndërsa investitorët mikpritën komentet që thuhet se i ka bërë Draghi pas dyerve të mbyllura. Sipas planit, Banka Qendrore do të blejë bonde me maturitet deri në tre vjet në të gjitha rastet kur interesat rriten përtej një kufiri të caktuar. Kjo nënkupton që investitorët nuk do të kenë më interes të shtyjnë interesat tepër lartë.
Megjithatë, BQE nuk pritet të publikojë të gjithë planin e vet, si dhe kriteret që ka vendosur për ndërhyrje në treg. Kryeministri i Spanjës Mariano Rajoy, deklaroi të hënën se Madridi mund të kërkojë ndihmë shtesë nga Europa prej rreth 100 miliardë euro. Spanja dhe Italia janë zhytur më thellë në krizë për shkak se investitorët kërkojnë interesa më të larta për të blerë borxhin e këtyre vendeve. Interesat e borxhit kanë qëndruar shpesh në nivele prej mbi 7 përqindësh, të cilat konsiderohen si të papërballueshme.
Blerja e borxhit publik nga BQE është në fakt ekuivalenti modern i prodhimit të parasë së re dhe inflacionimit të saj. Por përmasat e ndërhyrjes pritet të jenë të përmbajtura.
Banka Qendrore e Gjermanisë, Bundesbank, ka kritikuar ashpër planin për blerjen e borxhit, duke e konsideruar këtë hap si një shkelje e rëndë e parimit të mosfinancimit të qeverisë drejtpërsëdrejti nga Banka Qendrore.
Rezistenca gjermane ndaj veprimeve të tilla vijon të jetë e ashpër. Ish-guvernatori i “Bundesbank”, Axel Weber, dha dorëheqjen në shenjë proteste, ndërsa aktuali ka kërcënuar në disa raste të bëjë të njëjtën gjë.