Kryeministri ultrakonservator, tjetër fjalim të ashpër antieuropian


Hungaria vazhdon ende t’i hapë probleme Bashkimit Europian. Konflikti me Kryeministrin Orban edhe pse duket sikur është qetësuar disi, nuk është shuar ende. Në mbledhjen e përvitshme të të gjithë ambasadorëve të vendit të shpërndarë nëpër botë të zhvilluar në Budapest, Kryeministri autokrat dhe ultrakonservator, mbajti një fjalim që nëse do të lexohej dhe ekzaminohej ashtu siç duhej nga Barroso në Bruksel nga Merkeli në Berlin apo nga Mario Dragi i BQE në Frankfurt, do të linte një sinjal të fortë negativ. Një pjesë e mirë e fjalimit citohet nga e përditshmja liberalkonservatore dhe “afër” qeverisë gjermane “Die Welt”. “Hungaria jonë e re, tha Orban, i ka fituar të gjitha betejat dhe përplasjet me Bashkimin Europian që kur unë jam bërë Kryeministër i vendit. Kemi fituar betejën për ligjin mbi lirinë e medias, mbi kontrollin publik për Bankën Qendrore, për taksat për investitorët e huaj. Hungaria fitoi sepse ato konflikte, u menduan, u filluan, dhe hapën qëllimisht nga vetë Hungaria nën lidershipin tim”, vazhdoi ai më tej. Kryeministri hungarez nuk u kursye aspak kur i tha trupit diplomatik se “shumë shpejt do të shihni hapjen e konflikteve të reja me Bashkimin Europian”. Për më tepër, shtoi ai, i zgjedhur me një mazhorancë prej 2 të tretash nga hungarezët, kjo BE është e paaftë. Mbi të gjitha eurozona është e paaftë të shpëtojë euron, ndaj për këtë arsye kur liderët e saj takohen nëpër samite flasin për Hënën apo Marsin”. Gjithsesi, duke lënë mënjanë shakatë, problemi është shumë serioz. Ky Kryeministër që është tashmë duke negociuar, për një kredi prej 15 miliardë dollarësh me FMN-në dhe BE-në, “pështyn” në pjatën ku po përpiqet të “hajë”. Sigurisht që Orban mund t’i gëzohet edhe disa sukseseve siç janë lëshimet e kreditorëve ndërkombëtarë mbi borxhin e jashtëm hungarez, pastaj një politikë kursimesh e tmerrshme, si ajo e Pinoçetit në dëm të shtresave të varfra të popullsisë, që e kanë ndihmuar të stabilizojë situatën ekonomike, edhe pse ende shumë larg solidaritet industrial çek dhe sllovak apo bumit “korean” të Polonisë Demokratike. Për kostot sociale të këtyre masave flitet shumë pak: shumë mjete të informimit publik nuk mund të transmetojnë në të gjithë territorin dhe për më tepër e kanë si detyrim që të transmetojnë ato gjëra që nuk kritikojnë qeverinë e Orbanit dhe pushtetin, përndryshe mbyllja është e sigurt. Së dyti, pensionet, janë shpërndarë në mënyrë staliniste nga shteti, ndërsa invalidët e punës nuk kanë më të drejtë automatike ndaj shërbimit shëndetësor kombëtar. Të rinjtë e diplomuar në universitetet më të mira të vendit, vrapojnë për të blerë biletat e fundit të trenit për në Berlin para se të hyjë në fuqi ligji që do t’i detyrojë të diplomuarit të rimbursojnë shtetin duke punuar në vend. Sistemi autokratik funksionon, por duke nisur të bëhet kërcënues dhe  “ngjitës”. Partitë e ekstremit të djathtë europiane, i bëjnë elozhe dhe e marrin Orbanin si shembull.  Brukseli dhe Berlini heshtin ende. Prioriteti është shpëtimi i euros. Ndoshta reformat greke janë më të rëndësishme sesa “lamtumira” që Budapesti dhe Orban po u bëjnë vlerave kushtetuese të botës së lirë. Partnerët e tij të ngushtë politiko-ekonomikë si Rusia, Putini, Kina dhe Irani, reagojnë duke i dhënë më shumë mbështetje Budapestit. Bashkimi Europian dhe NATO, nuk shohin, ose bëjnë sikur nuk shohin.


 


Fjalimi – Kryeministri autokrat dhe ultrakonservator, mbajti një fjalim që nëse do të lexohej dhe ekzaminohej ashtu siç duhej nga Barroso në Bruksel nga Merkeli në Berlin apo nga Mario Dragi i BQE në Frankfurt, do të linte një sinjal të fortë negativ


Betejat – Hungaria, tha  Orban, i ka fituar të gjitha betejat me Bashkimin Europian që kur unë jam bërë Kryeministër i vendit. Kemi fituar betejën për ligjin mbi lirinë e medias, mbi kontrollin publik për Bankën Qendrore, për taksat me investitorët e huaj


Paaftësia – “Kjo BE është e paaftë. Mbi të gjitha eurozona është e paaftë të shpëtojë euron, ndaj për këtë arsye kur liderët e saj takohen nëpër samite flasin për Hënën apo Marsin”. Gjithsesi, duke lënë mënjanë shakatë, problemi është shumë serioz