Kongresi i Perusë votoi për shkarkimin e presidentes Dina Boluarte, disa orë pas një seance urgjente për të shqyrtuar propozimin për shkarkimin e saj.
Me një shumicë dërrmuese, deputetët nga i gjithë spektri politik votuan në favor të shkarkimit të Presidentit për shkak të “paaftësisë morale”.
Menjëherë pas shpalljes së rezultatit, Boluarte iu drejtua qytetarëve nëpërmjet një mesazhi televiziv, duke vënë në pikëpyetje pasojat e vendimit mbi stabilitetin politik të vendit.
Boluarte kishte një vlerësim miratimi prej vetëm 2-4% në mesin e popullit peruan pas vendimit të saj për të dyfishuar pagën e saj në korrik, duke e bërë atë pothuajse 35 herë më të lartë se paga minimale mujore në Peru.
Ajo ka qenë presidente e Perusë gjatë një periudhe protestash dhe skandalesh, ndërsa vendi përballet me një rritje shpërthyese të dhunës së bandave. Protestat antiqeveritare janë përshkallëzuar ditët e fundit, veçanërisht pas një incidenti me të shtëna në një koncert në kryeqytetin Lima të enjten, informojnë mediat.
Një total prej 122 nga 130 ligjvënësve votuan për shkarkimin e presidentes të premten në mëngjes, me procesin që filloi me katër mocione për shkarkim. Kreu i Kongresit, José Jerí, mori detyrën si president i përkohshëm pasi Boluarte u rrëzua.
Boluarte nuk u paraqit në seancën dëgjimore të Kongresit, ndërsa protestuesit e mbledhur jashtë ndërtesës me flamuj peruanë shpërthyen në festime pas shpalljes së rezultatit.
“Gjithmonë kam bërë thirrje për unitet “, tha ish-presidentja pas shkarkimit të saj, duke shtuar: “Nuk po mendoja për veten time, por për më shumë se 34 milionë peruanë që meritojnë më mirë
Presidenca e 63-vjeçares Boluarte, e cila zgjati më pak se tre vjet, u shënua nga shumë protesta dhe pasoi shkarkimin dhe burgosjen e paraardhësit të saj, Pedro Castillo.
Mandati i saj është lënë në hije nga disa hetime, përfshirë çështjen “Rolexgate”, në të cilën ajo u akuzua për pranimin e orëve Rolex si ryshfet, dhe një tjetër për shkak të dështimit të saj për të emëruar një zëvendëspresident gjatë mungesës së saj për trajtim mjekësor.
Përpjekja e suksesshme për të rrëzuar Boluarte të enjten në mbrëmje ishte e fundit në një seri përpjekjesh për ta shkarkuar atë nga detyra, përpara zgjedhjeve në prill.