Nuk bëhet fjalë për një grip sezonal. Ajo që po prek Francën sot është një krizë e thellë, e cila shkon përtej politikës së përçarë dhe borxhit publik në rritje. Kjo gjendje e ka shtyrë edhe Wall Street Journal ta quajë Parisin “i sëmuri i ri i Evropës”.
Një kryeministër në prag rrëzimi
Prej dy ditësh, në pritje të votëbesimit në Asamblenë Kombëtare më 8 shtator, kryeministri François Bayrou ka pritur partitë politike në Hôtel Matignon për t’i bindur të mos rrëzojnë qeverinë e tij. Por ky procesion i kujton më shumë një lamtumirë të fundit një njeriu të dënuar. Socialistët e kanë shpallur votën e tyre të mosbesimit “të pakthyeshme”, ndërsa e djathta dhe ekstremet kanë paralajmëruar se do të votojnë kundër. Dorëheqja duket e pashmangshme dhe në dorë të Emmanuel Macron do të mbetet vendimi: një qeveri e re ose thirrja e zgjedhjeve.
Nga premtimi i revolucionit te realiteti i borxhit
Dy vjet para fundit të mandatit, Macron gjendet me një nivel popullariteti vetëm 20%. Në maj 2017, kur marshoi triumfalisht drejt Piramidës së Luvrit nën tingujt e “Odës së Gëzimit”, ai premtoi një “Revolucion” të bazuar në tri shtylla: transformimin e politikës, reformimin e vendit dhe forcimin e Evropës.
Megjithatë, qasja e tij shpesh shihej si e njëanshme, e fokusuar në politika pro-biznesit: ulja e taksave për korporatat, heqja e tatimit mbi pasuritë e mëdha dhe vendosja e një takse të sheshtë mbi fitimet kapitale. Këto masa e larguan një pjesë të elektoratit progresiv dhe dobësuan besimin në aftësinë e tij për të dialoguar me partnerët socialë.
Reformat e pamundura dhe barrët sociale
Franca prej më shumë se gjysmë shekulli përballet me deficit të vazhdueshëm buxhetor. Çdo tentativë reforme sociale shihet si kërcënim ndaj sistemit bujar të sigurimeve shoqërore. Kështu ndodhi edhe në vitin 2023, kur rritja e moshës së pensionit shkaktoi protesta masive.
Nga ana tjetër, lehtësimet tatimore reduktuan të ardhurat publike dhe, të kombinuara me shpenzimet për krizat e jelekëve të verdhë, pandeminë dhe luftën në Ukrainë, e kanë çuar borxhin francez në 3.34 trilionë euro, ose 114% të PBB-së, mbi 1.3 trilion më shumë se në vitin 2017. “Për 20 vjet, borxhi është rritur me 12 milionë euro në orë”, pranoi vetë Bayrou, duke propozuar shkurtime prej 44 miliardë euro deri në 2026.
Një Evropë ende e papërfunduar
Në fillim të mandatit të tij, Macron u shfaq si kampioni i projektit evropian. Por raportet e fundit të Enrico Letta-s dhe Mario Draghi-t tregojnë se rruga drejt një Evrope të bashkuar financiarisht dhe politikisht mbetet e gjatë. Mungesa e investimeve të përbashkëta dhe konkurrenca e brendshme për të joshur taksapagues e kompani kanë dobësuar jo vetëm BE-në, por edhe vetë Francën. Nga Portugalia me përjashtimet tatimore për pensionistët, te Irlanda e Holanda që ofrojnë taksa minimale për multinacionalet, e deri te vetë Macron që hoqi taksën mbi asetet e mëdha për të tërhequr kapital pas Brexit – të gjitha tregojnë një Evropë të fragmentuar.
Një krizë identiteti kombëtare
Macron kishte premtuar një revolucion politik dhe ekonomik, por sot duket se ka dështuar të adresojë krizën më të thellë: atë të identitetit. Shumë francezë ndihen të pasigurt dhe të zhgënjyer përballë një vendi që duket më i vogël në një botë gjithnjë e më kërcënuese.
Sëmundja e Francës nuk është kalimtare. Nuk mjaftojnë as manovrat fiskale, as kompromiset politike të momentit. Ajo kërkon përgjigje strukturore, të cilat ende mungojnë.