Një atentat i porositur është parandaluar në momentet e fundit nga policia italiane në Caserta, duke shmangur një krim të rëndë ndaj një gruaje.

Sipas mediave italiane, një burrë dyshohet se kishte paguar 20 mijë euro për eliminimin e ish-bashkëshortes së tij. Ai kishte përgatitur me detaje planin e krimit, duke i siguruar personit që do të kryente vrasjen të dhëna të hollësishme për viktimën, përfshirë edhe çelësat e banesës së saj.

Plani parashikonte fillimisht rrëmbimin e gruas dhe më pas vrasjen e saj në një zonë të izoluar.

Policia ndërhyri përpara se skenari kriminal të vihej në zbatim. Për këtë ngjarje janë arrestuar 5 persona, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat dhe motivin që e shtyu porositësin të kërkonte vrasjen e ish-bashkëshortes.