Vizita e Leo Messit në Indi është shndërruar në një ngjarje të përmasave të jashtëzakonshme, e krahasueshme me ardhjen e një lideri të madh politik apo fetar.
Që në momentin e mbërritjes në aeroport, ylli argjentinas dhe pjesëtarët e Inter Miamit janë shoqëruar nga masa të rrepta sigurie, me forca të armatosura dhe eskortë të vazhdueshme në çdo lëvizje, për shkak të fluksit të madh të tifozëve që e prisnin në rrugët e Kalkutës.
Për arsye sigurie dhe për të ruajtur rendin publik, Messi nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e zbulimit të statujës së tij, një strukturë metalike rreth 22 metra e lartë, e konsideruar si statuja më e madhe e ndërtuar ndonjëherë në nder të futbollistit argjentinas.
Megjithatë, Messi u shfaq në stadiumin “Salt Lake” në Kalkuta, i shoqëruar nga Luis Suárez dhe Rodrigo De Paul. Edhe aty, prania e tij u shoqërua me masa të forta sigurie. Sulmuesi qëndroi vetëm rreth 20 minuta në stadium, pasi situata doli jashtë kontrollit, me tifozë që hodhën shishe dhe stola, duke dëmtuar edhe pjesë të rrethimit. Kjo pasi shkaktoi zem,ërim sepse fansat e tij kishin paguar biletën mjaft të shtrenjtë dhe nuk po mund të shikonin dot idhullin e tyre nga masat e shumta dhe të rrepta të sigurisë.
Messi ndodhet në Indi në kuadër të një turi promovues, gjatë të cilit pritet të vizitojë edhe qytete të tjera të mëdha si Hyderabad, Mumbai dhe New Delhi. Vizita e tij ka ngjallur interes dhe emocion të jashtëzakonshëm mes tifozëve indianë, duke konfirmuar edhe një herë ndikimin global të kampionit argjentinas.
