Një sulm me dron rus ndaj një treni pasagjerësh në perëndim të Ukrainës ka marrë një tjetër dimension pas zbulimit të detajeve të reja. Vetëm pak minuta përpara goditjes, në të njëjtën linjë hekurudhore kishte kaluar treni me të cilin udhëtonte ish-kryeministri britanik Boris Johnson, së bashku me disa zyrtarë të lartë evropianë.
Incidenti ndodhi pranë kufirit ukrainas me Poloninë. Droni goditi lokomotivën e trenit të pasagjerëve dhe shkaktoi dëme materiale, por fatmirësisht nuk u raportuan viktima. Pasagjerët ishin nxjerrë nga treni në kohë, pasi autoritetet kishin identifikuar më herët rrezikun.
Pak përpara sulmit, Johnson po udhëtonte në të njëjtin itinerar pasi ishte larguar nga Kievi, ku kishte marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare.
Në këtë linjë ndodheshin gjithashtu përfaqësues të rëndësishëm të sigurisë evropiane. Mes tyre raportohet se ishin këshilltari britanik për Sigurinë Kombëtare, Jonathan Powell, si dhe një këshilltar i kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Fakti që goditja ndodhi pranë kufirit me Poloninë dhe vetëm pak minuta pas kalimit të delegacionit evropian ka tërhequr vëmendje të veçantë.
Pas ngjarjes, Johnson reagoi duke kërkuar forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
“Kur do t’u japim atyre mbrojtjen ajrore që u nevojitet?”, deklaroi ish-kryeministri britanik.
