Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, vetëm pak orë përpara një takimi me rëndësi të lartë që pritet të mbajë në Florida me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.“Sapo pata një telefonatë të mirë dhe shumë produktive me presidentin Putin të Rusisë, përpara takimit tim, në orën 13:00 sot, me presidentin Zelensky të Ukrainës”, shkroi Trump në rrjetin e tij social Truth Social.
Sipas Trump, takimi me Zelenskyn do të zhvillohet në sallën kryesore të ngrënies në resortin Mar-a-Lago, në prani të mediave.
Biseda telefonike me Putinin vjen në një moment kritik, teksa Rusia ka intensifikuar sulmet me raketa dhe dronë mbi Kievin, duke i dhënë një sfond urgjent dhe të tensionuar takimit mes Trump dhe liderit ukrainas.
Trump dhe Putin kishin folur për herë të fundit në muajin tetor, kur kishin rënë dakord në parim për organizimin e një samiti në Budapest. Megjithatë, disa ditë më vonë, Trump e anuloi papritur takimin, duke deklaruar se mendonte se një samit i tillë do të ishte humbje kohe.
Takimi i sotëm me Zelenskyn pritet të ndiqet nga afër, në një kohë kur lufta në Ukrainë dhe përpjekjet diplomatike për uljen e tensioneve mbeten në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
