Çdo natë, Hamedi bie në gjumë duke e ditur se shpërthimet dhe të shtënat me armë nga forcat izraelite ka të ngjarë ta zgjojnë disa herë.

Ai jeton përgjatë zonës së demarkacionit të imponuar nga Izraeli, e njohur si “Vija e Verdhë”, ku shkeljet e armëpushimit nga Izraeli janë bërë rutinë.

“Shpërthimet zgjojnë njerëz çdo ditë”, tha një burrë palestinez , i cili dëshiroi të mbetej anonim për arsye sigurie.

“Gjithashtu dëgjojmë plumba që fishkëllejnë sipër kokës. Të shtënat nuk ndalen gjithë natën”, shtoi ai.

Hamed, nga Khan Younis në Gazën jugore, tha se të shtënat zakonisht fillojnë në mbrëmje dhe vazhdojnë deri në agim, të ndërprera nga shpërthimet shurdhuese e që shemben përtej vijës së frontit.

Në një rast, ai i shpëtoi vdekjes për pak kur një plumb i goditi shtëpinë.

“Për fat të mirë, goditi murin”, tregoi ai.

Që prej nënshkrimit të armëpushimit në tetor, forcat izraelite e kanë shkelur atë vazhdimisht përmes sulmeve të shumta ajrore.

“E shohim tankun kur afrohet, hap zjarr dhe tërhiqet. Është jashtëzakonisht e frikshme”, tha Hamed.

Vija e Verdhë shtrihet përgjatë Gazës veriore, lindore dhe jugore. Ajo u krijua sipas marrëveshjes së armëpushimit si një kufi i përkohshëm tërheqjeje.

Trupat izraelite mbeten të stacionuara pas saj, duke kontrolluar deri në 58 për qind të territorit, në pritje të fazës tjetër të armëpushimit të ndërmjetësuar nga SHBA-të, i cili parashikon tërheqje të mëtejshme të Izraelit.

Megjithatë, në terren, banorët thonë se vija kufitare është shtyrë më thellë në Gaza, duke kufizuar aksesin e palestinezëve në shtëpitë e tyre dhe tokat bujqësore jetësore.

Zhvendosja e kufirit i ka lënë gjithashtu familjet pa një strehë të qëndrueshme.

Për Hamedin, rreziku është afruar gjithnjë e më shumë në javët e fundit. Ajo që dikur ishte gati dy kilometra larg, tani është më pak se një.

Me këtë ndryshim, intensiteti i zjarrit është rritur.

Kërcënimi, tha ai, është si fizik ashtu edhe psikologjik.

Meqenëse disa nga fqinjët e tij janë plagosur nga të shtënat me armë zjarri ndërsa ishin brenda në shtëpitë e tyre, kjo ka krijuar panik në familjen e tij.

“Mbesat dhe nipërit e mi gjithmonë vrapojnë në prehrin e babait dhe nënës sime për t’u fshehur”, tha ai.

Veprimet izraelite përgjatë Vijës së Verdhë dhe në zonat përreth janë dënuar nga grupet e të drejtave të njeriut.

Raportohet se përvoja e Hamedit ndihet në të gjithë Gazën, jo vetëm në Khan Younis.

Në al-Bureij në Gazën qendrore, zhvendosja e Vijës së Verdhë shkaktoi kohët e fundit një valë të re zhvendosjesh.

Khaled i ka mbijetuar sulmeve të shumta, përfshirë bombardimin e shtëpisë së tij. Ai viziton rregullisht xhaxhallarët e tij, të cilët jetojnë afër kufirit.

Shumë banorë janë larguar tashmë për shkak të asaj që ai e përshkroi si të shtëna pa dallim në zonë.

“Xhaxhallarët e mi u detyruan të largoheshin nga shtëpia e tyre. Tani janë pikërisht pranë Vijës së Verdhë. Të shtënat nuk ndalen as në mbrëmje dhe as natën”, tha ai.

Ai kujtoi një vizitë të kohëve të fundit për të kontrolluar pronën kur papritmas shpërthyen të shtënat.

“U fshehëm në një dhomë me fytyrë nga pozicioni i ushtrisë, pastaj ikëm kur patëm mundësinë”, deklaroi ai.

Në kampin e refugjatëve al-Maghazi, Houida Salim, një nënë e gjashtë fëmijëve, thotë se të shtëna me armë zjarri kalojnë mbi shtëpinë e saj pothuajse çdo ditë.

“Lufta nuk mbaroi kurrë”, tha ajo.

“Sa herë që dëgjojmë tanket, ndihemi sikur jemi të burgosur në shtëpi. Nuk mund të largohemi. Plumbat godasin shtëpinë rregullisht. Këtu nuk ka armëpushim”, shtoi Salim.

Në zonën e saj, Vija e Verdhë është avancuar në më pak se një kilometër larg.

“Ne nuk i varim rrobat për t’u tharë në çati nga frika se mos na shënjestrojnë tanket”, tha Salim.